Policia e Kosovës, mëngjesi ne së premtes, ka arrestuar katër persona në veri të Mitrovicës, tre prej të cilëve, janë të dyshuar në lidhje me vrasjen e politikanit serb nga kjo pjesë e Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka theksuar që arrestimet janë bërë me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Prokurori Special, Sylë Hoxha, tha se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’ua caktojë masën prej 30 ditë paraburgimi tre të arrestuarve të së premtes në Mitrovicën e Veriut rreth vrasjes së ish-liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Fillimisht, ndaj të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit 48 prej orëve, kurse vendimi për paraburgim të mëtutjeshëm, pritet të merret nga gjykata. I arrestuari i katërt, ndërkaq nuk ka të bëjë me rastin Ivanoviq.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka dhënë sqarime për aksionin policior në veri.
“Janë arrestuar 4 persona dhe 3 prej tyre dyshohet se janë të përfshirë në veprën penale vrasje e rëndë, kurse një person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë. Bëhet fjalë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Gjitahshtu, një person mbetet në kërkim policor, pasi që nuk është gjetur”, theksoi zëdhënësi Daut Hoxha.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, personi që mbetet në kërkim nga policia është personi me inicialet M.R. i përkatësisë serbe.
Policia e Kosovës gjatë kontrollit, po ashtu, ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin, dëshmi këto të cilat sipas policisë do të procedohen sipas procedurës ligjore.
Gjatë kohës së aksionit të policisë, në veri të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, është lëshuar edhe alarmi që paralajmëronte rrezikun e përgjithshëm.
Prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me mediat nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka thënë se lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, që nga marsi i këtij viti kjo prokurori ka grumbulluar prova. Siç ka thënë ai, janë dëgjuar më shumë se 40 dëshmitarë, kryesisht nga pjesa veriore e vendit dhe Prokuroria ndërkohë ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve.
“Prokuroria Speciale, deri në këto momente ka grumbulluar prova dhe ka ardhur në përfundim që vetëm me një urdhër-kontroll të shtëpive, të banesave të të dyshuarve, mund të sigurohet edhe ndonjë provë tjetër lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Më datën 21 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë, konkretisht gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti i krimeve të rënda, ka lëshuar urdhëresë për urdhër-kontroll të shtëpive dhe lokaleve kundër të pandehurve”, ka thënë Hoxha.
Sipas Prokurorisë, gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për kontroll, Policia e Kosovës ka gjetur armë pa leje dhe materie tjera që përbëjnë veprën penale, për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili ka treguar identitetin e personave që janë arrestuar të premten në Mitrovicën e Veriut, ka theksuar që aksioni i njësive të Policisë së Kosovës, ka shqetësuar qytetarët në këtë pjesë.
“Bëhet fjalë për bashkëqytetarët tanë, Dragisha Markoviq, Marko Roshiq, Nedeljko Spasojeviq dhe Sasha Qurçiq, të cilët janë dërguar në drejtim të panjohur. Gjatë aksionit janë dëgjuar të shtëna dhe janë hedhur shok-bombat ndaj secilit person që është parë në afërsinë e tyre. Qytetarët janë mbledhur herët në mëngjes dhe janë të shqetësuar. Ajo që mund të them se po të mos tërhiqeshin njësitë speciale, do të kishim luftë në rrugët e qytetit të Mitrovicës”, tha Rakiq, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi.
Ai u ka thënë mediave se dy nga personat e arrestuar, Dragisha Markoviq dhe Sasha Gjuriq, janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga policët nga komanda veriore e Mitrovicës.
Për aksionin në veri ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim në rrjetin social Facebook. Ai ka thënë se ky veprim policor nuk ndërlidhet me asnjë zhvillim politik dhe se “shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik”.
Pas aksionit të policisë në veri, Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë në të cilën thuhet se aksioni policor në veri të Kosovës që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhrit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Qeveria e Kosovës siguron të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik”, theksohet ne deklaratën e Qeverisë.
Me këtë rast, Qeveria e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike, kryetarëve të komunave, posaçërisht atyre në veri dhe organeve të tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.
“Është më rëndësi që askush të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë”, theksohet në deklaratë.
Politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.