Ndërlidhjet

Policia e Kosovës arreston 22 persona dhe kryen bastisje në operacionin anti-drogë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të martën se pas një hetimi disamujor, ka arritur të arrestojë 22 persona dhe të shkatërrojë një grup të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë.

“Personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘krim i organizuar’, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit ‘SkyECC’”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga autoritetet e drejtësisë, të cilat e kanë urdhëruar nisjen e hetimeve.

SkyECC është aplikacion mesazhesh të enkriptuara, në të cilin fitohet qasje përmes abonimit.

Policia ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, dhe në to janë bastisur 47 lokacione.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova të konsiderueshme materiale, lëndë narkotike, 129 vetura, para të gatshme, dhe janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 500 mijë eurove.

Në mesin e mallrave të sekuestruara janë edhe "nëntë orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1.569 fishekë të ndryshëm, 1.292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme".

Operacioni, i ashtuquajtur "Qielli i Thyer", është mbështetur nga shkëmbimi efektiv i të dhënave me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe EUROPOL-it, i cili ka siguruar koordinim ndërkombëtar policor.

Policia dhe autoritetet e drejtësisë kanë thënë se ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që janë marrë me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe formave të tjera të krimit të organizuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG