Behram Vitia 65 vjeç, me padurim pret që ta marrë vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, por për të problem po paraqet regjistrimi në ueb-faqen eKosova, në të cilën qytetarët duhet të paraqesin të dhënat e tyre personale për vaksinim. Ai tregon se ende nuk e ka përfunduar këtë proces, pasi nuk di ta përdorë teknologjinë. Dhe nëse nuk i ndihmon ndonjë anëtar i familjes apo nuk gjenden alternative tjera për sigurimin e terminit, ai shprehet se do të mbesë pa u vaksinuar.
“Unë nuk shkoj ta marr vaksinën hiç sepse nuk di të aplikoj me telefon apo kompjuter. Për të moshuarit, lajmërimi është dashur të bëhet përmes televizorit. Ne televizor shikojmë, jo internet”, tha Vitia.
Miradije Kadriu, 67 vjeçe, para dhjetë ditësh është vaksinuar kundër koronavirusit. Ajo tregon se vajza e saj ka aplikuar në platformën eKosova, pasi ajo vetë nuk di ta përdorë teknologjinë.
“Unë nuk di ta përdor internetin dhe as që e kam parë atë platformë. Vajza ka aplikuar, më ka fotografuar duke mbajtur letërnjoftimin në dorë dhe ka përfunduar. Pas disa ditësh na kanë telefonuar dhe unë e kam marr vaksinën”, tregon Kadriu.
Procesi i vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars, ku fillimisht u vaksinuan punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike. Në proces të vaksinimit janë personat mbi moshën 65 vjeç. Ndërkaq, në fazën e tretë, pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.
Për aplikim për vaksinimin kundër koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion për qytetarët ueb-faqen eKosova. Por, një pjesë e qytetarëve, sidomos të moshuarit që janë prioritet në procesin e imunizimit, u gjetën të papërgatitur për t’i përdorur këto shërbime.
Në këtë në ueb-faqe, përveç vaksinimit, ofrohen edhe shërbime të tjera elektronike, si faturat për tatim të pronës individuale, biznese si dhe kërkimi i gjobave për qytetarët që janë ndëshkuar nga Policia e Kosovës.
Hilmi Toplica, 77 vjeç, me profesion inxhinier i telekomunikacionit, është telefonuar për vaksinim mbas një jave pasi është regjistruar në ueb-faqen eKosova. Toplica tregon se për të nuk ka qenë e vështirë mënyra e aplikimit, pasi përdor teknologjinë. Por, në përgjithësi për të moshuarit, sipas tij, kjo është platformë e gabuar.
“Jo të gjithë të moshuarit dinë ta përdorin internetin apo teknologjinë. Ka pasur mënyra të tjera, më te lehta për këtë kategori. Më anë të televizorit të bëhet thirrje që personat e lindur me këtë datë të paraqiten në qendrat përkatëse të vaksinimit. Për ata që nuk dinë të punojnë, është platformë e paqartë”, thotë ai.
Nazmi Rushiti, një qytetar tjetër nga Prishtina është 23 vjet më i ri se Hilmi Toplica. Nazmiu që tashmë ka 54 vjet, tregon se nuk di ta përdor internetin. Ai shpreson që gjatë verës t’i vije radha për vaksinim, por edhe për të, problem paraqitet forma e aplikimit. Këtë proces ai pret që t’ia kryejnë fëmijët e tij.
“Nuk di ta përdor internetin. Shpresoj që qeveria të vendosë ndonjë formë tjetër për regjistrim, diçka më lehtë, ndonjë mënyrë që dimë do të ishte më mirë sepse me internet, jo, jo nuk di”, thekson Rushiti.
Elshani:Platforma elektronike, e veçantë dhe e thjeshtë
Platforma për vaksinim është dashur të jetë e veçantë për këtë kategori dhe jashtëzakonisht e thjeshtë, thotë edhe eksperti i çështjeve të telekomunikimeve, Driart Elshani.
“Çdo shërbim elektronik duhet të jetë i dizajnuar në atë mënyrë që të jetë sa më i thjeshtë për përdorim, sidomos për të moshuarit, të cilët kanë vështirësi të mëdha në përdorimin e platformave digjitale. Dhe mendoj që për vaksinim, shërbimi elektronik duhet të jetë i veçantë, nuk duhet të jetë i përzier me shërbimet tjera elektronike”, thotë Elshani për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 96.4 për qind e familjeve në Kosovë kanë qasje në internet, ndërkaq mosha që dominon në qasjen në internet është nga 35 deri në 44 vjeç.
Por, Driart Elshani thekson se pandemia e koronavirusit, duhet të jetë mësim për autoritetet kompetente që të dizajnojnë shërbime të thjeshta dhe të shpejta elektronike.
“Shpresoj që Kosova do të mësojë nga kriza e pandemisë që të zhvillojë shërbime elektronike sa më të thjeshta dhe më të lehta, të qasshme për qytetarët, sidomos për qytetarët e moshuar”, thotë ai.
Në Kosovë është duke vijuar vaksinimi në qendrat e vaksinimit në qytete të ndryshme të Kosovës, ku po vaksinohen personat mbi 65 vjeç, të regjistruar në platformën elektronike eKosova dhe sipas listave në dispozicion të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri të më 20 maj, mbi 55 mijë qytetarë janë imunizuar me vaksinat e dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.
Por, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për Radion Evropa e Lirë, se sa është numri i qytetarëve të cilët kanë aplikuar në platformën elektronike. Megjithatë, kjo ministri, pothuajse çdo ditë u bën thirrje qytetarëve të çdo grupmoshe, që të regjistrohen për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.
Ndryshe, që prej paraqitjes së rasteve të para me koronavirus, në mars të vitit 2020, Kosova ka regjistruar mbi 107 mijë raste me COVID-19. Numri i rasteve që kanë përfunduar me fatalitet është 2.240, Ndërkaq, mbi 101 mijë pacientë janë shëruar. Raste aktive janë 3.551.
Facebook Forum