Ndërlidhjet

Ekonomia sipas LVV-së


Ilustrim.
Ilustrim.

Krijimi i Fondit Sovran, Bankës Zhvillimore të Kosovës, punësimi deri në një vit të plotë për të gjithë të rinjtë të moshës 16-18 vjeç, janë vetëm disa nga prioritetet në aspektin ekonomik në planprogramin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), parti kjo e cila më 22 mars, mori besimin e kuvendit për të udhëhequr me qeverinë.

Në ditët, muajt dhe vitet e para të qeverisjes, LVV-ja ka paraparë kthimin e ekonomisë në normalitet.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, humbjet e bizneseve në Kosovë nga muaji mars deri në tetor të vitit 2020, ishin mbi 1.2 miliard euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit të publikuar në shkurt të këtij viti, tha se Kosova më 2020 shënoi rënie ekonomike deri në 6 për qind. Ky mekanizëm ka paraparë rritje ekonomike më 2021 jo më shumë se 4.5 për qind.

Aspektin ekonomik dhe mbrojtjen sociale, LVV-ja e ka vënë në krye të prioriteteve në planprogramin, me të cilin ka kandiduar për të fituar udhëheqjen e shtetit të Kosovës për katër vjetët e ardhshme.

Fondi Sovran, sipas këtij planprogrami, do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre. Agjencinë Kosovare të Privatizimit, LVV-ja e Albin Kurtit, ka paraparë ta shuajë dhe asetet e saj të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.

Lëvizja Vetëvendosje ka paraparë anëtarësimin e Kosovës në Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në mënyrë që të sigurohet një treg vendor, që sipas LVV-së nuk përbuz mundin e fermerëve, do të sigurohen që të ketë çmim dysheme për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale. Në këtë fuqizim, LVV-ja ka premtuar se do ta financojnë bujqësinë për çdo vit deri në 100 milionë euro.

Futja e çmimeve referente për një sërë produktesh bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin dhe qumështin, është paraparë po ashtu në planprogramin e LVV-së.

Mbështetje kjo parti ka premtuar për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregje të reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës. Po ashtu, mbështetje shtesë është paraparë për bizneset në sektorët ekonomik që promovojnë efiçiencën e energjisë dhe ruajnë ambientin, ndërmarrësit që mundësojnë përpunimin e mëtejmë të ushqimit, drurit apo promovojnë turizmin e vendit.

Të gjithë në punë deri në një vit

LVV-ja në aspektin ekonomik për të rinjtë ka planifikuar krijimin e Skemës së Punësimit të Garantuar, ku moshat 16-18 vjeç do të kenë mundësinë e përfitimit të pagës dhe vendit të punës të garantuar nga shteti deri në një vit të plotë.

Po ashtu, për të rinjtë e gjithë vendit që orientohen nga ndërmarrësia, kjo parti ka paraparë të vë në dispozicion deri në 2 mijë grante në vit, me një vlerë totale prej 20 milionë eurosh, destinuar për qira dhe pajisje.

Çdo vit, LVV-ja ka paraparë që 2 mijë grupe entuziastësh të rinj t’i kenë kushtet për t’i avancuar idetë e tyre.

Në planprogramin e saj, LVV-ja ka paraparë krijimin e “Grantit të katërt” për komunat, që do të jetë granti për investime kapitale.

Përmes këtij granti, në katër vjetët e ardhshëm, sipas LVV-së, komunave do t’u alokohen mbi 600 milionë euro dhe qeverisjet lokale do të vendosin vetë për alokimin e këtyre shumave për projekte të ndryshme kapitale.

Pagë minimale 250 euro dhe rritje të skemave sociale

Pagën minimale për angazhim prej 40 orësh në muaj, LVV-ja e ka planifikuar ta rrisë në 250 euro, si dhe ka paraparë që kjo pagë të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale.

Për nënat që janë të papuna për 6 muajt e pushimit të lehonisë, LVV-ja ka planifikuar t’u paguajnë pagën minimale prej 250 eurosh.

LVV-ja po ashtu ka paraparë që të fillojë zbatimi i programit të shtesave për fëmijët.

Të gjithë fëmijët nën moshën 2-vjeçare në qeverisjen e LVV-së është paraparë të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove, kurse për fëmijët nën moshën 16-vjeçare, shuma që përfitojnë do të jetë 10 euro në muaj.

Ndërkaq, për të gjitha familjet që kanë të ardhura të ulëta, do të rimbursohen varësisht prej të ardhurave vjetore që familja merr.

“Nga 50 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit, nga 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro, dhe nga 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro”, thuhet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje.

LVV-ja ka thënë se do të sigurojë që rritja e ekonomisë të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Adresimi i problemit të varfërisë dhe ulja e saj mbetet kriter shumë i rëndësishëm i LVV-së. Qeveria, thuhet në planprogramin e LVV-së, “nuk do të lejojë që 100 mijë qytetarë të jetojnë me më pak se 1 euro në ditë”.

Ndyshe, vetëm 22 milionë euro deri më tani ka shpërndarë Ministria e Financave për sektorin privat nga fondi 222 milionë eurosh, fond ky në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj ministrie. Nga kjo vlerë, 13 milionë euro janë shpërndarë për sektorin e bujqësisë dhe nëntë milionë euro për bizneset private.

Shpërndarja e mjeteve nga Programi për rimëkëmbje ekonomike, që arrin vlerën prej 222 milionë euro, ka filluar në muajin janar të këtij viti. Deri më tani, janë shpërndarë vetëm 78 milionë euro. Nga kjo vlerë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nëntë milionë euro janë ndarë për bizneset në sektorin privat (gjashtë milionë e gjysmë për të vetëpunësuarit, një milion për gratë në ekonomi dhe një milion e gjysmë për mbulimin e tarifës së garantuar për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore) dhe 13 milionë euro për sektorin e bujqësisë.

Vlera më e madhe me mbi 20.7 milionë euro është shpenzuar për skema sociale, kurse 16.2 milionë euro janë ndarë për punëtorët në sektorin e shëndetësisë, arsimit, policisë dhe zjarrfikësit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG