Ndërlidhjet

Pjesëmarrja kalon 22% deri në orën 15:00, teksa votimi po vazhdon qetësisht

E përditësuar
Një burrë duke votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, në Prishtinë, 7 qershor 2026.
Një burrë duke votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, në Prishtinë, 7 qershor 2026.

Qytetarët e Kosovës janë duke votuar në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare të dielën, të tretat në rreth 18 muaj, pasi asnjë parti nuk ka qenë në gjendje të fitojë shumicë të fuqishme për ta nxjerrë vendin nga kriza politike.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe pritet të mbyllen në orën 19:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha në një konferencë për media në orën 15:30 se procesi zgjedhor është duke u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident në 38 komunat e vendit.

“Sipas të dhënave të fundit nga komisionet komunale, qendrat e votimit po funksionojnë normalisht në gjithë vendin. Procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe pa asnjë pengesë që do të mundë ta cenonte mbarëvajtjen e procesit zgjedhor", tha Radoniqi.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri në orën 15:00 kanë votuar 22.74 për qind të rreth 2 milionë e qytetarëve me të drejtë vote, që është dalje më e ulët se ajo e shënuar në zgjedhjet e kaluara të dhjetorit prej mbi 29.29 prë qind.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial po qëndrojnë kujdestarë për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tri koalicione po garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 deputetë.

Ndërkohë, udhëheqësit politikë bënë thirrje për dalje sa më të madhe në zgjedhje dhe proces të qetë e demokratik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili synon ta ruajë pushtetin, tha se shpreson që vendi nuk do të ketë nevojë më të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi hodhi votën e tij në Prishtinë.

“Uroj që për zgjedhje parlamentare këtu të shihemi pas katër vitesh”, tha Kurti.

Edhe kundërshtarët e tij opozitarë, kandidati për kryeministër dhe kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, dhe ai i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, u shprehën se nuk duhet të ketë më zgjedhje në katër vjetët e ardhshme.

“I ftoj ta ushtrojnë të drejtën për votë sipas bindjeve të tyre politike, të votojnë në mënyrë të qetë, të lirë dhe demokratike. Ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”, tha Hamza.

Abdixhiku tha se sot është “një ditë, brenda 12 orëve nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 7 e mbrëmjes, vendoset fati i Republikës për katër vjetët e ardhshme”.

Çfarë pritet nga këto zgjedhje?

Vëzhguesit e zhvillimeve politike parashohin tre skenarë të mundshëm nga këto zgjedhje: përqendrim i pushtetit te Lëvizja Vetëvendosje, kompromis i detyruar politik, ose vazhdim i krizës me rrezik për zgjedhje të reja.

Paqëndrueshmëria institucionale, sipas tyre, rrezikon të ngadalësojë integrimin në Bashkim Evropian, të kufizojë fondet dhe investimet, si dhe të dobësojë mbështetjen nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Agon Maliqi paralajmëroi për Radion Evropa e Lirë të premten se Kosova rrezikon të rrëshqasë drejt një modeli si në Shqipëri apo në Serbi, ku pushteti përqendrohet te një lider që kontrollon gjithçka, përballë alternativës së një sistemi që imponon bashkëpunim dhe ruan balancat demokratike.

“Personalisht, besoj se do të duhej një rezultat më i përafërt me atë të zgjedhjeve të shkurtit, i cili imponon konesnsus jo vetëm për presidentin, por edhe për qeverinë, sepse sistemin politik e kemi të tillë - ai e bën të vështirë ose të pamundur që një parti të kontrollojë gjithçka”, tha Maliqi për programin Expose të REL-it.

Analisti Artan Muhaxhiri argumentoi se gjendja është fryt i një “klase politike të papërgjegjshme”, e cila, siç thotë, vepron në shpërputhje me nevojat e qytetarëve.

Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te shpeshtësia e zgjedhjeve, por edhe te mungesa e kulturës së kompromisit dhe funksionalitetit institucional.

Siguria, mbështetja sociale, rryma, politika e jashtme: Kush, çka premtoi? Siguria, mbështetja sociale, rryma, politika e jashtme: Kush, çka premtoi?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:05:08 0:00

Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave - shumicën më të madhe në Kosovën shtet - nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo çoi automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit - vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit të tij - dhe dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja.

XS
SM
MD
LG