Ndërlidhjet

Petkoviq nuk e njeh kompetencën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të enjten se nuk e njeh Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si institucion që mund ta pezullojë ose anulojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata të enjten, të njëjtën ditë kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë para mediave se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta japë fjalën e fundit për kushtetutshmërinë e një draft-statuti për formim të Asociacionit që i është prezantuar Kosovës, më 21 tetor.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca konkrete për popullin serb, është negociuar më shumë se 10 vjet më parë në Bruksel, dhe asnjë deklaratë, dhe asnjë dëshirë e askujt, nuk do të mund ta zhbëjë atë që është garantuar nga gjithë Bashkimi Evropian, dhe që është nënshkruar prej përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Petkoviq.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Ambasadori Hovenier ka thënë se draft-statuti i zyrtarëve të Perëndimit është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.

"Jam habitur me numrin e njerëzve që e kanë interpretuar një draft-statut që nuk e kanë parë. Është trik goxha mbresëlënës. Në fund të ditës, ata që nuk e kanë parë dokumentin, nuk kanë shumë bazë të komentojnë mbi të".

Çfarë ka thënë Kurti për draft-statutin?

Kurti ka raportuar më 3 nëntor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ende nuk e ka pranuar zyrtarisht dokumentin, por ka insistuar se është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj.

"Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit", ka thënë ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe "si rrjedhojë ta pranoj".

Çfarë ka thënë Vuçiqi?

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk mund të flasë në publik për hollësitë e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se dokumenti është “bazë e mirë për të ardhmen”.

Më 26 tetor, Vuçiqi ka thënë se është plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit por, shtoi se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

XS
SM
MD
LG