Ndërlidhjet

Petkoviq në Bruksel: Nuk mund të ketë dialog për Preshevën e Bujanocin


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të martën se ia ka bërë të qartë Bashkimit Evropian se Presheva dhe Bujanoci nuk mund të jenë temë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Presheva dhe Bujanoci janë çështje të Serbisë qendrore, të ligjeve dhe Kushtetutës sonë, dhe për këtë nuk mund të ketë asnjë lloj diskutimi në kuadër të dialogut – pavarësisht përpjekjeve të [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurtit dhe [zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik] Bislimit për t’i futur këto tema”, deklaroi Petkoviq pas takimit të tij në Bruksel me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Sipas tij, “dihet se cilat janë temat e dialogut – çështja e Kosovës, pozita e popullit serb, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe ajo që mund të bëjmë për të arritur zgjidhje kompromisi që do të sillnin paqe dhe stabilitet në Kosovë”.

Çështjen e Preshevës e ka përmendur një ditë më parë Bislimi, pas një takimi me Sorensenin.

Ai ka thënë se Kosova e konsideron proces shumë të rëndësishëm mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Shqiptarët në Serbi ankohen se autoritetet atje nuk ua njohin diplomat e Kosovës, kërkojnë integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

Takimi i Petkoviqit me Sorensenin u mbajt të martën në Bruksel, si pjesë e përgatitjeve për takimin trepalësh në kuadër të dialogut, që pritet, siç tha ai, të ndodhë së shpejti.

Petkoviq tha se në takimin me Sorensenin u fol edhe për mbylljen e institucioneve serbe në veri nga autoritetet e Kosovës dhe për vendimet e autoriteteve lokale në veri, që ai i cilësoi si “anti-serbe”. U diskutua edhe çështja e personave të zhdukur, për të cilën Petkoviq tha se ka pasur përparim.

Ai akuzoi institucionet e Kosovës për “terrorizim dhe përndjekje të përfaqësuesve politikë serbë në Kosovë, veçanërisht të Listës Serbe”.

Sipas tij, kryetari i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - ka marrë ftesë nga Prokuroria e Kosovës për t’u paraqitur më 10 qershor, “me gjasë për protestat dhe barrikadat e vitit 2022”.

Ftesë të ngjashme, për dyshime për “ndonjë lloj terrorizmi”, ka marrë edhe zëvendëskryetari i kësaj partie, Igor Simiq.

Petkoviq e përshkroi këtë si një formë presioni politik ndaj përfaqësuesve të serbëve në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG