Ndërlidhjet

Sa "u rifreskua"? Pesëvjetori i ndryshimit të pushtetit në Mal të Zi


Mbështetësit e Jakov Millatoviqit, festojnë pas zgjedhjeve presidenciale. Podgoricë, 2 prill 2023.
Mbështetësit e Jakov Millatoviqit, festojnë pas zgjedhjeve presidenciale. Podgoricë, 2 prill 2023.

“U rifreskua” - ky është termi që përdorën mijëra mbështetës të partive proserbe në Mal të Zi, pas humbjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit në zgjedhjet e 30 gushtit, 2020.

DPS-ja qeverisi gati tri dekada, gjatë të cilave Mali i Zi riktheu shtetësinë, u anëtarësua në NATO dhe u bë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, qeverisja e saj u perceptua edhe si korruptive dhe e lidhur me struktura kriminale.

Kjo ishte hera e parë e ndërrimit të pushtetit që nga futja e pluralizmit në Mal të Zi.

Kisha Ortodokse Serbe në këtë vend (KOS), e cila ishte në konflikt me DPS-në, kishte ndikim vendimtar në rezultatin e zgjedhjeve, që i fituan Fronti Demokratik - parti proserbe dhe proruse, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA.

Gjatë këtyre pesë vjetëve u ndërruan tri qeveri.

Të gjitha u përqendruan në luftën kundër korrupsionit dhe punësimeve partiake nga koha e DPS-së, në rikthimin e pronësisë së kishave dhe manastireve te KOS-i, në forcimin e institucioneve, në përshpejtimin e rrugës drejt BE-së dhe në luftën kundër kriminalitetit.

Por sa nga këto premtime u realizuan?

Qeveritë: Nga “apostolët” te më të mëdhatë

Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiqit përpiqej t’i realizonte qëllimet me një përbërje ekspertësh; Qeveria e dytë e Dritan Abazoviqit u fokusua në luftën kundër mafies dhe kontrabandës së duhanit, ndërsa e treta e Millojko Spajiqit i dha prioritet ekonomisë dhe standardit të qytetarëve.

Qeveria e Krivokapiqit u negociua në Manastirin Ostrog të KOS-it - kryeministri i quante “apostolë” ministrat.

Në të nuk kishte përfaqësues të partive.

Zyrtarisht, u shkarkua për shkak të ngecjeve në reforma, por, në thelb, për shkak të interesave të partive për të marrë pozicione në qeveri.

Qeveria e Abazoviqit, e formuar me mbështetjen e DPS-së, ra pasi kryeministri nënshkroi Marrëveshjen Themelore me KOS-in - për çka partia e Gjukanoviqit ia mori besimin.

Qeveria e Spajiqit u dha më shumë pushtet partive fituese, Frontit Demokratik dhe Demokratëve, ndërsa URA mbeti jashtë koalicionit.

Kryeministri premtoi se do të përqendrohet tek ekonomia, standardi i jetesës dhe integrimi evropian.

Qeveria e tij është më e madhja në historinë e Malit të Zi: me 32 anëtarë nga 8 parti me ideologji të ndryshme.

Në të dominojnë ministrat nga partitë proserbe, që janë të afërta me politikën zyrtare të Beogradit.

Integrimi në BE: Përparim i sforcuar

Ambiciet e Qeverisë së Spajiqit janë që t’i mbyllë kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE deri në fund të vitit 2026 dhe që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së deri në fund të vitit 2028.

Edhe pse negociatat filluan 13 vjet më parë, vetëm 7 nga 33 kapitujt janë të mbyllur deri më tani.

Nga këta shtatë, katër u mbyllën gjatë mandatit të kësaj qeverie dhe tre gjatë qeverisjes së DPS-së.

BE-ja e mbështet Malin e Zi në procesin e pranimit, megjithëse në raportet e saj përmend vazhdimisht korrupsionin, sundimin e dobët të ligjit dhe paqëndrueshmërinë politike.

Mbështetja e saj është gjithashtu financiare.

Në maj, Podgorica mori 27 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së për vendet në rajon dhe deri në vitin 2027 mund të marrë deri në 383 milionë, nëse përparon në reforma.

Megjithatë, kësti i parë i rregullt nga Plani i Rritjes mbërriti i reduktuar, me 10.2 milionë nga 18 milionët e pritur.

Kjo, sepse hapat e planifikuar të reformave nuk u zbatuan plotësisht.

Qeveria ka përmbushur më pak se dy të tretat e detyrimeve nga Programi i Anëtarësimit në BE, të planifikuara për gjysmën e parë të këtij viti.

Politika e jashtme: Balancë mes BE-së, Serbisë, Rusisë dhe Kinës

Politika e jashtme e Malit të Zi zyrtarisht është proevropiane dhe proatlantike.

Por, në praktikë, disa veprime të një pjese të pushtetit - kundër NATO-s, për të tërhequr njohjen e Kosovës dhe për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë - e komplikojnë drejtimin e vendit.

Gjatë pesë vjetëve të fundit, Mali i Zi ka marrë gjashtë nota proteste zyrtare: katër nga Kroacia dhe dy nga Bosnje dhe Hercegovina.

Tre zyrtarë nga radhët e Frontit Demokratik dhe Demokratëve janë shpallur të padëshirueshëm në Kroaci.

Për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve, Kroacia ia ka bllokuar Malit të Zi mbylljen e kapitullit 31, që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe sigurinë.

Edhe pse ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe ka zbatuar sanksionet evropiane, vendimi për t’i lejuar instruktorët malazezë që t’i trajnojnë ushtarët ukrainas, në kuadër të misionit të ndihmës ushtarake të BE-së, ka pritur më shumë se nëntë muaj në Kuvend.

Kryetar i Kuvendit është udhëheqësi i Frontit Demokratik proserb dhe prorus, Andrija Mandiq.

Në vitin 2021, Mali i Zi refuzoi të dërgonte ushtarë në misionin KFOR në Kosovë, për shkak të presionit të Frontit Demokratik, i cili e përshkroi këtë mundësi si “turpin më të madh të ushtrisë malazeze”, pasi, sipas kësaj partie, Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë.

Qysh pas ndërrimit të pushtetit, në Mal të Zi është bërë më e dukshme edhe prania e Kinës, përmes qendrave kulturore, bursave dhe shkëmbimeve studentore.

Pavarësisht problemeve me ndërtimin e një pjese të autostradës, Mali i Zi mbetet i hapur për investime të mëtejshme kineze.

Bashkëpunimi i fundit i Universitetit shtetëror të Malit të Zi me Qendrën Kombëtare Kineze për Superkompjuterë dhe me kompani që janë nën sanksione të SHBA-së - në fushat e kriptografisë, inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike - ka ngritur shqetësime te Departamenti amerikan i Shtetit.

Ekonomia: Pagat dhe çmimet janë rritur, por nuk ka investime

Në pesë vjetët e fundit kishte rritje të ndjeshme të pagave dhe inflacionit, sidomos në vitin 2022.

Borxhi publik mbeti i lartë dhe shteti vazhdoi të merrte hua.

Paga mesatare në vitin 2020 ishte 520 euro, ndërsa në vitin 2025 ishte pothuajse dyfishi: 1.000 euro.

Pesë vjet më parë, për shkak të pandemisë COVID-19, inflacioni ishte negativ -0.3 për qind; në vitin 2022 ishte 13 për qind dhe këtë vit është 4.2 për qind.

Për t’i rritur pagat, Qeveria i ridrejtoi kontributet nga fondi i pensioneve në pagat neto.

Nga borxhi i përgjithshëm publik, borxhi i jashtëm përbën rreth 90.7 për qind.

Bruto Prodhimi i Brendshëm ndikohet jashtëzakonisht nga turizmi, i cili ka qenë në rënie gjatë dy vjetëve të fundit për rreth 25 për qind.

Krahasuar me vitin 2020, numri i qëndrimeve me net ka rënë për 6 për qind.

Numri i të punësuarve në sektorin publik, ndërkaq, është në rritje.

Në pesë vjet, ai është rritur me së paku 11 mijë të punësuar.

Shumica e investimeve në Mal të Zi, në pesë vjetët e fundit, kanë qenë në pasuri të paluajtshme, ndërsa, praktikisht, nuk ka asnjë në prodhim dhe infrastrukturë.

Nga vendet perëndimore nuk ka investime dhe investitorët kryesorë të huaj janë nga Serbia, Turqia dhe Rusia - kryesisht përmes blerjes së pasurive të paluajtshme.

Dominimi i Kishës Ortodokse Serbe

Gjatë pesë vjetëve të fundit, Kisha Ortodokse Serbe ka qenë faktori joshtetëror më me ndikim në Mal të Zi.

Kjo ka çuar në një klerikalizim të konsiderueshëm të shoqërisë dhe shtetit, i cili - me Kushtetutë - është laik.

Qeveria e parë pas zgjedhjeve të vitit 2020 u negociua nën drejtimin e Kishës.

Marrëveshja Themelore e vitit 2022 i mundësoi asaj të regjistrohej si pronare e pothuajse të gjitha kishave dhe manastireve në Mal të Zi, duke i dhënë ekstraterritorialitet.

Kjo do të thotë se shërbimet e sigurisë shtetërore nuk mund të hyjnë në objektet e KOS-it pa lejen e tij.

Sipas planit të ri hapësinor, këtë vit, KOS-i do t’i zërë edhe 18 ndërtesa të tjera fetare, vetëm në territorin e Podgoricës.

Të gjitha sondazhet e viteve të fundit tregojnë se qytetarët i besojnë më shumë KOS-it. Sipas sondazhit të qendrës CEDEM të vitit të kaluar, deri në 51 për qind.

Me miliona euro ndihmë shtetërore, KOS-i hapi disa shkolla fetare, ndërsa hapësira kulturore në Mal të Zi dominohet nga narrativë të afërt me vlerat e kishës.

Identiteti shtetëror dhe kulturor në krizë

Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh kombin dhe gjuhën malazeze - dhe gjithçka që rrjedh prej tyre.

Ajo i konsideron malazezët pjesë të trupit kombëtar serb, ndërsa gjuhën dhe kulturën si serbe.

Ajo, gjithashtu, ndikon në mënyrë aktive në interpretimin e historisë - nga nxjerrja në pah e rolit historik të Rusisë në Mal të Zi deri te shpallja hero e Pavlle Gjurishiqit, një kriminel i Luftës së Dytë Botërore që bashkëpunoi me nazistët.

Edhe pse madhërimi i nazizmit është i ndaluar me ligj, monumenti i ngritur dhe më pas i hequr për Gjurishiqin aktualisht ndodhet në manastirin e KOS-it në Berane.

KOS-i nuk e njeh as gjenocidin që ndodhi në Srebrenicë e as Kosovën si shtet.

Në të njëjtën linjë janë edhe qëndrimet dhe veprimet e partive në pushtet, të afërta me Kishën.

Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, afirmoi identitetin serb përmes logos së re të Kuvendit, duke vendosur flamurin serb në zyrën e tij.

Gjatë festave kombëtare, në shumicën e komunave në Mal të Zi dominojnë flamujt serbë.

Çmimi më i lartë në Mal të Zi, ai i 13 Korrikut, këtë vit iu dha Beqir Vukoviqit, një shkrimtar që mohon ekzistencën e kombit dhe kulturës malazeze.

Situatë e ngjashme është edhe në media. Katër nga pesë stacionet televizive kombëtare në Mal të Zi kanë pronarë nga Serbia. Përjashtim bën transmetuesi publik, i cili, megjithatë, ka një staf editorial kryesisht proserb.

Në vend të “rifreskimit” u thelluan përçarjet kombëtare

Në vend të “rifreskimit” të premtuar, këto politika rezultuan në tensione shtesë, konflikte dhe protesta të herëpashershme.

Për gati dy dekada, që nga referendumi i pavarësisë i vitit 2006, shoqëria malazeze ishte thellësisht e ndarë - në ata që duan bashkim me Serbinë dhe në mbështetës të një Mali të Zi të pavarur.

Sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2023, në Mal të Zi jetojnë 41.1 për qind malazezë dhe 32.9 për qind serbë.

Krahasuar me regjistrimin e mëparshëm të vitit 2011, numri i serbëve u rrit për 4 për qind dhe numri i malazezëve u ul.

Regjistrimit i parapriu një fushatë nga forcat dhe mediat proserbe dhe proruse, si dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të deklarohen si serbë.

Përgatiti: Valona Tela

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG