Ndërlidhjet

Pesë raste të reja me virusin HIV këtë vit në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Në gjithë botën, të shtunën u shënua Dita Ndërkombëtare e HIV/AIDS-it. Rasti i parë i HIV/AIDS-it në Kosovë, ishte raportuar në vitin 1986. Prej asaj kohe deri më tani, në Kosovë janë raportuar 119 raste.

Prej tyre, 71 janë me AID-s dhe 48 me HIV infeksion. Në bazë të të dhënave, 47 persona kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Gjatë vitit 2018, ndërkaq, janë raportuar 5 raste të reja dhe një rast i vdekjes si pasojë e AIDS-it.

Nga aspekti gjinor, me këtë virus, 72 për qind janë meshkuj dhe 28 për qind janë femra, ku grupmoshat më të përfshira janë 25-44 vjeç.

Video nga arkivi: Të jetosh me HIV/AIDS në Kosovë...

Megjithatë, Kosova hyn në vendet me përqindje të ulët të personave të prekur nga ky virus.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, thotë se problematika e virusit të HIV-it është globale dhe se për këtë vit në ditën ndërkombëtare është përmendur globalisht se bota është e përkushtuar për t’i dhënë fund epidemisë së HIV/AIDS-it deri në vitin 2030.

“Ky objektiv ambicioz për ta parandaluar këtë epidemi deri në vitin 2030, është i habitshëm dhe përfaqëson një mundësi të madhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë përgjithmonë, diçka që brezi ynë duhet ta bëjë për brezat që vijnë”, tha Ramadani.

Ndryshe, në botë deri në fund të vitit 2017-të janë shënuar gjithsej 37 milionë raste me HIV-AIDS, ku prej tyre 35 milionë janë të rritur, ndërkaq 1.8 milionë janë fëmijë nën moshën 15 vjeçare. Nga kjo sëmundje, gjatë vitit 2017 kanë vdekur 940 mijë persona.

Një nga donacionet e mëdha që ka mbështetur sistemin shëndetësor në Kosovë ndër vite është edhe Fondi Global, ku fokusi ka qenë në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, dhe tuberkuloz. Për këto sëmundje janë ndarë çdo pesë vjet nga 5 milionë euro.

Edona Dobroshi-Deva, nga Fondi Global, tha se në vazhdimësi punojnë për trajtimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje epidemike.

Sipas saj, në vazhdimësi rastet me HIV janë duke u zbuluar. Në sistemin publik ka thënë ajo, ka raste të reja, të cilat zbulohen në Qendrën për këshillimin dhe testimin vullnetar, që ekziston në kuadër të Klinikës Infektive, e që në fakt vijnë nga popullata e përgjithshme.

“Kosova është marrëse e fondeve të Fondit Global për HIV dhe AIDS që nga viti 2008. Janë zotuar mbi 11 milionë dollarë për Kosovën dhe janë dhënë rreth 10 milionë dollarë për Kosovën për adresimin e kësaj sëmundjeje”, ka thënë Deva.

Zyrtarët në Ministrinë e Shëndetësisë kanë potencuar faktin se diskutimet janë të nevojshme për këtë sëmundje ngase ajo mund të parandalohet, ndonëse siç thonë ata Kosova konsiderohet si një vend me prevalencë të ulët të kësaj sëmundje.

Sidoqoftë, shumica e njerëzve të prekur me HIV jetojnë në vende me të ardhura të ulëta ose të mesme.

HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG