Ndërlidhjet

Udhëheqësit botërorë dëgjojnë në heshtje të mbijetuarit në 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit


Një e mbijetuar merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Poloni më 27 janar.
Një e mbijetuar merr pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Poloni më 27 janar.

Ceremonia për përvjetorin e 80-të të çlirimit të kampit nazist të Aushvicit ka nisur të hënën në një tendë të madhe, të ndërtuar në hyrje të kampit.

Në ceremoni kanë mbajtur fjalime vetëm të mbijetuarit, ndërsa liderë nga e gjithë bota, kanë dëgjuar në heshtje përjetimet e tyre.

Ceremonia ka nisur me veprën muzikore të James Simonit, kompozitorit hebrejo-gjerman, i vrarë në Aushvic më 1944.

Njëri nga të mbijetuarit Marian Turski e ka dënuar të hënën “rritjen e madhe” të antisemitizmit, dhe ka bërë thirrje për “kurajë” kundër mohuesve të Holokaustit dhe teorive konspirative.

“Sot dhe tani ne shohim rritje të madhe të antisemitizmit dhe është pikërisht antisemitizmi që ka çuar në Holokaust”, ka thënë 98-vjeçari para liderëve botërorë.

*Në këtë video mund t'i dëgjoni komentet e vizitorëve që kanë parë nga afër kampin Aushvic më 27 janar 2025.

"Vend i kobshëm": Aushvici, 80 vjet pas çlirimit të kampit famëkeq nazist
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:04 0:00

Paraprakisht edhe udhëheqësit evropianë kanë shprehur shqetësim për rritjen e partive të ekstremit të djathtë, veçmas në Gjermani, shtet që do të mbajë zgjedhjet muajin e ardhshëm.

Shumë nga të mbijetuarit, që tani janë në moshë të shtyrë, mbanin shall me vija blu dhe të bardha, për të kujtuar uniformat e kampit dhe mbanin qirinj në duar teksa shkuan në Murin e Vdekjes në kampin në Poloni ku afër 1.1 milion persona u vranë nga pushtuesit nazistë.

Kampi u çlirua nga trupat sovjetike më 27 janar 1945, vetëm disa muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Ne polakët, në këto toka – atëbotë të pushtuara nga nazistët gjermanë – jemi ruajtësit e kujtimeve”, tha presidenti polak, Andzrej Duda, i cili shoqëroi të mbijetuarit në ecjen drejt Murit të Vdekjes.

Një nga simbolet e ceremonisë është edhe një vagon që do të qëndrojë pranë portës.

*Video nga arkivi: Kjo video tregon se çfarë ndodhi në kampin famëkeq të Aushvicit dhe si u realizua plani i udhëheqësit nazist, Adolf Hitler për shfarosjen e hebrenjve.

Aushvici, tragjedia më e madhe në historinë e njerëzimit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:04:11 0:00

Në ceremonitë në Poloni do të marrin pjesë presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, kancelari Olaf Scholz, udhëheqës të tjerë përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryediplomaten Donika Gërvalla,.

Scholz, i cili është në mes të një fushate të vështirë për rizgjedhje, ka përjetuar rritjen e partisë antiimigrante, Alternativa për Gjermaninë (AfD) gjatë dhe para mandatit të tij si kancelar.

"Kurrë nuk do t'i harrojmë. As sot, as nesër", tha Scholz, duke kujtuar më shumë se 1 milion të vrarë në Aushvic nga gjermanët.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu ka arritur në Poloni, pasi kishte ndezur qirinj në memorialin për Holokaustin, Babin Jar në Kiev, ku më shumë se 30.000 hebrenj u masakruan nga nazistët gjatë dy ditëve më 1941.

"Ishte përpjekje e qëllimshme e nazistëve për të zhdukur një komb të tërë - për t'ia vrarë të gjithë njerëzit dhe për të shkatërruar që ia kujtonte botës popullin hebre", shkroi ai në X.

"Krimet e Holokaustit nuk duhet të përsëriten kur. Por, fatkeqësisht kujtimi gradualisht po venitet dhe ligësia po tenton të shkatërrojë jetën e kombeve të tëra që ende ekzistojnë në botë sot".

Asnjë nga udhëheqësit e huaj që marrin pjesë në ceremoni, nuk do të mbajnë fjalime, sipas organizatorëve. Organizatorët duan që fokusi të mbetet te të mbijetuarit dhe afër 50 prej tyre do të marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore.

Ky përvjetor po ashtu shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Në vigjilje të ceremonive përkujtimore në Poloni, një agjenci qeveritare izraelite që merret me mbështetjen e të mbijetuarve të Holokaustit lëshoi raportin vjetor, ku vlerësoi se më shumë se 123.000 të mbijetuar të Holokaustit aktualisht jetojnë në Izrael.

Në mesin e tyre përfshihen 41.751 persona që i mbijetuan përndjekjes naziste dhe 44.334 që u larguan pas avancimit të forcave naziste, veçmas në ish-Bashkimin Sovjetik.

Grupi i tretë i 37.630 të mbijetuarve ishin viktima të antisemitizmit gjatë luftës jashtë Evropës – kryesisht në Marok dhe Algjeri, por aty përfshihen edhe hebrenj irakian.

Në raport po ashtu përmenden 133 izraelitë që kishin luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në radhët e forcave aleate.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG