Të paktën 27 fëmijë janë vrarë në Afganistan brenda tri ditëve, si pasojë e luftimeve në mes të talibanëve dhe forcave qeveritare, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Agjencia për fëmijë e OKB-së, UNICEF, ka thënë se është shokuar nga “përshkallëzimi i shpejtë i dhunës kundër fëmijëve”.
Talibanët kanë shënuar fitore të mëdha në këtë shtet, ndërkohë që tërhiqen forcat e huaja, duke fituar kontrollin e të paktën gjashtë kryeqyteteve rajonale nga dita e premte.
Ata kanë hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim.
Përmes një deklarate të hënën, UNICEF, ka thënë se mizoritë që po kryhen kundër fëmijëve janë duke u rritur “ditë pas dite”.
Të 27 viktimat janë regjistruar në tri provinca – Kandahar, Kost dhe Patkia.
Rreth 136 fëmijë janë plagosur në këto zona përgjatë tri ditëve, ka thënë UNICEF.
“Këta nuk janë numra. Secila vdekje dhe secili rast i vuajtjes fizike përbën tragjedi personale”, ka thënë Hervé Ludovic De Lys, përfaqësues i UNICEF-it për Afganistanin, përmes një deklarate.
Kjo Agjenci u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të mbrojnë fëmijët.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë nisur të largohen nga Afganistani më 1 maj, pas gati 20 vjetëve luftë.
Që atëherë, talibanët kanë nisur ofensiva në rajone të ndryshme në Afganistan, me qëllim të zgjerimit të kontrollit.
Forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.