Aktualisht, janë vetëm dy mënyra për të parë përgjigjen e Bashkimit Evropian ndaj luftës në Ukrainë. Këndvështrimi i parë është pesimist – që tregon një bllok të vetëkënaqur, të përgjumur që lë fqinjët e tij dhe gjithë strukturën e sigurisë në flakë për të mbështetur lirinë dhe pasurinë e tij. Dhe, pastaj është këndvështrimi shpresëdhënës – se blloku evropian më në fund nuhati erën e kafesë dhe tani është më i bashkuar se kurrë më parë duke ndërmarrë masa edhe të dhimbshme, por edhe masa të solidaritetit që askush vetëm para një jave nuk do të mendonte se do t’i ndërmerrte.
Pyetja se cili nga ky këndvështrim është më i saktë nuk mund të marrë përgjigje për një kohë të gjatë. Situata po ndryshon dita-ditës dhe brenda orësh. Për aq kohë sa Ukraina është e rrethuar, ky është një fakt mjaft akademik. Por, pas kësaj do të ketë një moment 'Quo Vadis' [frazë latine që do të thotë se 'Ku po shkon?'] për të gjithë kontinentin. A do të shohim një “rilindje evropiane” të re në një kontinent më në fund të bashkuar, të lirë dhe në paqe, apo do të shohim diçka ogurzezë?
“Naive deri në skaj”. Këto janë fjalët që kam dëgjuar më së shumti nga diplomatët e BE-së teksa kanë përshkruar reagimin e BE-së ndaj ngjarjeve të shumta që kanë ndodhur në ditët e fundit – të paktën në fillim. Inteligjenca amerikane kishte të drejtë dhe tashmë të gjithë e pranojnë këtë. Por, vetëm pak persona u shqetësuan ose guxuan ta pranonin këtë fakt atëherë kur ishte e rëndësishme që kjo të ndodhte. Shumë nga shtetet e Baltikut dhe Polonia e patën atë momentin “Ju kemi thënë” – pas dekadash që ishin parë si luftëtarë histerikë të Luftës së Ftohtë.
Por, nuk ishte vetëm gjykimi i situatës që evropianët gabuan. Përgjigja me masa ndëshkuese ishte një rast klasik i veprimit të vonuar. Duke marrë të gjitha parasysh, këto masa janë më shumë sesa veprimi i zakonshëm i Brukselit kur bëhet fjalë për sanksione. Këto masa do ta dëmtojnë Rusinë, veçmas në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, por sanksionet qartazi ende nuk kanë pasur ndonjë ndikim deri më tani– të paktën jo në llogaritjet e Kremlinit.
Shqetësimet, veçmas në Berlin sa i përket sanksioneve të SWIFT-it, ishin të dhimbshme për shumë njerëz. Edhe kur këto sanksione të miratohen, ato nuk do të ofrojnë një ndalim të plotë në këtë sistem. Disa thonë se sanksionet e SWIFT-it funksionuan mirë ndaj Iranit, duke u përpjekur që të mos prekin më shumë njerëz të zakonshëm, por të tjerët thonë se ngjarjet e jashtëzakonshme kërkojnë një përgjigje të jashtëzakonshme. Disa industri kyçe ruse janë shënjestruar, por shumë biznese ende tregtojnë me Rusinë – sikurse të mos kishte ndodhur asgjë.
Po ashtu, janë vendosur edhe kufizime në fluturime, por këto kufizime nuk e ndalojnë Air Serbia që të rrisë numrin e fluturimeve drejt qyteteve ruse dhe gjithashtu nuk i ndalon portet që të operojnë sikurse të mos kishte ndodhur asgjë. Oligarkët po ashtu janë shënjestruar me sanksione, porse jo të gjithë.
Sanksionet ndaj Bjellorusisë, po ashtu, janë ashpërsuar dhe zbrazëtirat ligjore janë mbyllur, por ngrihet pyetja se pse kjo nuk u bë kur sanksionet e para ekonomike që u vendosën ndaj Minskut në verën e vitit 2021, edhe pse statistikat tregonin se tregtia me Bjellorusinë po vazhdonte fuqishëm?
Përsëri, njerëzit do të pyesin vazhdimisht se sa persona të tjerë duhet të vdesin në Ukrainë, sa qytete të tjera do të shndërrohen në gërmadha dhe çka tjetër duhet të bëjë Bjellorusia autoritare që BE-ja të shkojë një hap më tutje? Dhe përgjigja është e njëjtë si gjithmonë: Brukseli gjithmonë duhet të shtyhet që të veprojë.
Kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën. U desh të shihen imazhe të tmerrshme të mijëra njerëzve që vdisnin nga COVID-19 në spitalet në veri të Italisë që më në fund BE-ja të bashkohej për akumulimin e borxhit të përbashkët në luftën kundër pandemisë.
Iu desh një brezi të tërë të bizneseve të shkatërruara në jug të Evropës që Banka Qendrore Evropiane më në fund të premtonte se do të bënte gjithçka për ta shpëtuar euron. Një eurokrat dikur më ka thënë: “Ne asnjëherë nuk e lëmë një krizë të mirë që të shkojë huq”.
Dhe, të gjitha gjasat janë që edhe tani të jetë njësojë – pavarësisht se sa e shkujdesur dhe e vrazhdë do të mund të tingëllojë për shumë ukrainas që tani po luftojnë për ekzistencën e tyre.
Por, ka edhe një të vërtetë tjetër që është se BE-ja gjatë këtyre gjashtë ditëve të fundit ka bërë më shumë sesa që Brukseli ka bërë në 15 vjetët e fundit.
Ne po jetojmë në kohë të paprecedentë, por kur nuk kisha imagjinuar që do të shihja sanksione të BE-së ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov. Krejt papritur u bë e mundur që të ndalohet Russia Today dhe Sputnik që të operojnë në tokën e BE-së. E gjithë kjo ndodhi brenda 24 orësh. Kam biseduar me diplomatët që po hartojnë dhe miratojnë akte ligjore të shumta, me shpejtësi të madhe për dallim nga e kaluara kur për hartimin e legjislacionit të tillë kërkoheshin disa muaj. E pashë BE-në, laureaten e Çmimit Nobel të Paqes më 2012, institucion që është ndërtuar për të parandaluar luftëra në kontinent, duke thyer tabunë dhe duke i dhuruar Ukrainës gjysmë miliard euro për të blerë armë.
Dhe papritur, ishin besnikët e Putinit, siç është Millosh Zeman dhe Marin Le Pen që dënuan liderin rus. Edhe pse mund të jetë herët për këtë, ka pasur disa biseda serioze në korridoret e Brukselit që Kievit t’i jepet një perspektivë për anëtarësim në BE. Në mënyrë ironike, Ukraina asnjëherë nuk ka qenë më pranë BE-së sesa në këto momente. Ka dashur gjithmonë të anëtarësohet, por tani ka gjasa për ta arritur këtë.
Dhe, ndoshta aspekti më premtues janë të gjitha ato imazhe të qytetarëve të BE-së në mbarë kontinentin që po demonstrojnë në favor të Ukrainës, po dhurojnë miliona dhe vullnetarisht po shkojnë drejt kufijve të Ukrainës për të ndihmuar qytetarët. Farat e mbjella këtu do të rriten pavarësisht se si do të përfundojë lufta dhe shkatërrimi i madh që do të pasojë, por gjithashtu ka procese pozitive që kanë nisur ditëve të fundit, që do të jetë vështirë që të ndalen.