Ndërlidhjet

Përfundon procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit


Një zyrtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke numëruar vota në një qendër numërimi në Prishtinë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Një zyrtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke numëruar vota në një qendër numërimi në Prishtinë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) e përfundoi procesin e numërimit të votave të mërkurën mbrëma, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt.

Votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta ishin të fundit që u numëruan në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.

KQZ pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dy ditë pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, tha për gazetarë se partitë apo kandidatët për deputetë kanë 48 orë kohë për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në lidhje me ndonjë shkelje të supozuar gjatë numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Ajo i ka fituar 5.214 vota me kusht, apo 44.25 për qind, si dhe 824 apo 31.88 për qind e votave të personave me nevoja të veçanta.

Partia Demokratike e Kosovës i fitoi 20.17 për qind, apo 2.377 vota me kusht dhe 621 apo 24.02 për qind të votave të personave me nevoja të veçanta.

Lidhja Demokratike e Kosovës i mori 13.64 për qind, apo 1.607 vota me kusht, dhe 19.54 për qind apo 505 vota të personave me aftësi të kufizuara.

Lista Serbe arriti t’i fitojë 6.33 për qind, apo 746 vota me kusht, dhe 7.85 për qind apo 203 vota të personave me nevoja të veçanta.

Ndërsa koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma i mori 5.63 për qind, apo 4663 vota me kusht dhe 8.86 për qind, apo 229 vota të personave me nevoja të veçanta.

Sipas rezultateve përfundimtare, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka fituar 396.022 vota, apo 42.27 për qind, duke i siguruar 48 ulëse.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.

Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.

Për më shumë, lexoni këtu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG