Mospajtimet ndërmjet partive politike në Kosovë lidhur me përfaqësimin e vendit në fazën finale të dialogut me Serbinë në Brukselit, që pritet të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese, do ta vë palën e Kosovën në pozitë mjaft të pafavorshme në këtë proces, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Dobësimi i pozicionit të Kosovës në këtë proces, sipas tyre, do të ndikojë jo vetëm në fuqinë dialoguese, por edhe në mundësinë e zbatimit të marrëveshjes eventuale, që pritet të dalë nga ky proces.
Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë që dialogu në Bruksel nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe rregullimin e çështjeve teknike, por ka të bëjë shumë edhe me rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe me mënyrën se si do të mund të funksionojë shteti i Kosovës në të ardhmen, si rezultat i marrëveshjeve eventuale.
“Konsensusi i brendshëm, jo vetëm politik, por edhe ai shoqëror në Kosovë, është i domosdoshëm. Mandati parlamentar për ata, të cilët janë bartës të dialogut, është po ashtu i domosdoshëm për t’u marrë vendimet në të ardhmen, të cilat do të rezultojnë në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arsye se nga kjo do të varet e ardhmja e Kosovës. Nga kjo do të varet funksionaliteti i shtetit të Kosovës. Përveç kësaj, mungesa e një uniteti lidhur me dialogun me Serbinë, mund të problematizojë edhe zbatimin e marrëveshjeve. Për arsye se gjithçka që shkruhet në letër, do të duhet të zbatohet në jetën e përditshme, në terren, në sistemin politik të Kosovës, në legjislacion e të tjera”, tha Qirezi.
Ai shton se Kosova duhet të punojë për konsensus të brendshëm, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë mirëkuptim, për faktin se çështjet të cilat janë duke u diskutuar janë tepër të ndjeshme.
Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur Radion Evropa e Lirë, thekson që, përderisa Serbia, tash e më shumë se një vit e gjysmë, ka ndërtuar një pozicion më stabil për dialogun, Kosova nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mungesa e një konsensusi politik e ka lënë deri më tash vendin pa platformë dhe madje edhe pa debat në Kuvendin e Kosovës për një proces, i cili, siç thekson ajo, do të përcaktojë integritetin e brendshëm të Kosovës, por edhe përfaqësimin e saj ndërkombëtar.
“Ne e kuptojmë që nuk mund të ketë një konsensus të gjithë spektrit politik. Por, duhet të ketë një konsensus sa më të gjerë politik, ku partitë në pushtet dhe ato opozitare të ulen dhe të pajtohen për çështjet esenciale të këtij dialogu, për platformën, për udhëheqjen dhe ekipin përbërës të këtij procesi. Pastaj, në Kuvendin e Kosovës të diskutojnë për një platformë dhe në këtë mënyrë t’i japin mandatin dhe ta legjitimojnë ekipin bisedues të palës së Kosovës”, thekson Krasniqi.
Por, analisti Qirezi shpreh mendimin se gjasat për arritjen e një konsensusi të brendshëm politik në Kosovës do të ndërlidhen nga përplasjet politike, të cilat ndodhin varësisht nga motivet që kanë partitë politike, për të fituar poenë politikë te bashkësia ndërkombëtare si dhe për të fituar poenë politikë në skenën e brendshme.
“Janë shumë gjëra, të cilat ndërlidhen me atë se a mund të ketë konsensus, si dhe lidhur me natyrën e përplasjeve aktuale politike, për sa i takon platformës negociuese. Unë mendoj se duhet të ftohen gjakrat dhe që aktorët politikë, pra përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës, me gjakftohtësi t’i diskutojnë çështjet. Mbase edhe t’i zgjerojnë diskutimet edhe më tutje, të ftojnë njerëz, të cilët kanë njohuri lidhur me këto çështje dhe që mund të japin ndihmesën e tyre, në mënyrë që Kosova ta ketë një platformë negociuese të mirë”, tha Qirezi.
Ndërkaq, analistja Krasniqi, thekson se mungesa e një uniteti të gjerë politik për përfaqësimin e Kosovës në finalen e procesit të dialogut, mund të rezultojë me përsëritjen e situatave që tashmë kanë ndodhur, sikurse me Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, për të cilën Kuvendit të Kosovës i janë dashur tre vjet për ta ratifikuar atë.
“Nëse e njëjta gjë ndodhë edhe me marrëveshjen përfundimtare nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, kjo do të shkaktojë shumë probleme për Kosovën, qoftë në konsolidimin e saj të brendshëm dhe atë ndërkombëtarë, por qoftë edhe në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Prandaj, një konsensus i gjerë politik, për këtë proces, është më se i nevojshëm, që nga fillimi, që nga rezoluta, e cila duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës dhe më pas për t’i dhënë shtysën e duhur dhe mbështetjen e duhur këtij procesi dhe marrëveshjes e cila pritet të arrihet në kuadër të këtij procesi”, u shpreh Krasniqi.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës, me kërkesën e kreut të saj, Ramush Haradinaj, ka tërhequr nga Kuvendi i Kosovës projekt-platformën për bisedime me Serbinë.
Siç kanë thënë zyrtarët e Qeverisë, ky veprim është bërë, në mënyrë që t’i jepet kohë ndërtimit të një konsensusi sa më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtutjeshme.