Ndërlidhjet

Partitë me mospajtime rreth transparencës së financave


Foto nga fushata zgjedhore e vitit 2017
Foto nga fushata zgjedhore e vitit 2017

Transparenca e partive politike, përfshi edhe publikimin e financave dhe shpenzimeve, përbën një prej kritereve të domosdoshme që Komisioni Evropian u ka vënë të gjitha shteteve aspiruese në procesin e gjatë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Bazuar në raportet e progresit të Komisionit Evropian, Kosova përbën një prej vendeve që ka probleme me mungesën e transparencës nga partitë politike.

Sa i përket transparencës së financimit të partive politike, eksperti ndërkombëtar, Yukihiko Hamada nga organizata IDEA International, tha për Radion Evropa e Lirë se publikimi online i raporteve të financimit të partive politike, do të rriste transparencën.

“Nëse bëhet online, ka disa beneficione. Së pari, kursen kohë, është mënyrë më eficiente, dhe pastaj qytetarët ose kushdo nga shoqëria, mund t’i gjejnë të dhënat për financimin e partive politike në internet. Po ashtu do të ndihmonte në kursimin e parave edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Veçanërisht në Evropë, shumica e vendeve janë duke debatuar për digjitalizimin e raporteve të financimit të partive politike dhe shpresojmë që Kosova do të jetë në linjë me këto praktika të Evropës”, tha Hamada.

Muaj më parë, nga zyra e kryeministrit të Kosovës, ishte iniciuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike, me qëllim të rritjes së transparencës dhe luftimit të korrupsionit.

Përmes këtyre ndryshimeve, parashihet që të sqarohen disa nga dispozitat ligjore, me theks të veçantë të kontrollit financimit të subjekteve politike, auditimit të raporteve financiare dhe publikimi i tyre. Përveç tjerash, pritej edhe krijimi apo hapja e zyrës për regjistrim dhe certifikim të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Të premten, ky projektligj ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës. Ka qenë pikërisht ndryshimi i propozuar për të mos krijuar një zyre të tillë në KQZ dhe ndryshime të tjera, që kanë shtyrë dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që mos të votojnë për plotësim-ndryshimin e këtij projektligji.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se përmes këtij projektligji po tentohet të bëhen, siç është shprehur ai “pazare”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka potencuar shpesh që kjo mund të kalojë jo vetëm në atë që quhet në gjuhën pak më të drejtpërdrejt, pazare, por krijon mundësinë që deputetët përtej pavarësisë, mund të krijohen situata që për nevoja financiare të hupin edhe imazhin edhe mundësinë e kualitetit qoftë të ligjeve, apo qoftë të vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës”, tha deputeti Zemaj.

Ndërsa, sipas deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, moskrijimi i Zyrës për regjistrim dhe certifikim të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka ardhur si vërejtje edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

“Si i tillë është i papranueshëm të votohet. Nuk njeh asnjë praktikë askund një projektligj tashmë të ndryshuar. Edhe zyra e BE-së ka pasur vërejtje, pasi që është miratuar në komisionin funksional, për shkak të një zyre e cila tashmë nuk parashihet në kuadër të KQZ-së. Prandaj, përshirë të gjitha këto vërejtje, nuk do të marrim pjesë në votim të këtij projektligji”, tha deputetja Kollçaku.

Anëtari i këtij Komisioni, Visar Ymeri, tha se Kushtetuta e njeh lirinë e deputetit dhe përcaktimin e tij të lirë jo vetëm për votë, por edhe për qëndrime politike e grupime politike brenda Kuvendit të Kosovës dhe sipas kësaj fryme të Kushtetutës duhet edhe ligjet tjera të nxjerrën në vijë me këtë.

“Kemi propozuar që Ligji për Financimin e Partive Politike të ndryshohet në atë që Grupet Parlamentare ta gëzojnë të drejtën e financimit nga Fondi për Demokratizim. Konsiderojmë që një e drejtë e tillë, e mundëson demokratizimin e vendit”, tha Ymeri.

Kundër ndryshimeve të tilla në këtë projektligj, janë shprehur edhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Sipas Valmir Ismailit nga organizata Demokraci Plus, ky projektligj ka pësuar ndryshime për të keq në kuadër të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Ismaili për Radion Evropa e Lirë tha se organizatat e shoqërisë civile do të kërkojnë që ky projektligj të mos shkoj në seancë fare dhe do të kërkojnë nga zyra e kryeministrit që ky projektligj të tërhiqet, sepse kjo sipas tij, është kthim mbrapa.

“Rritja e limitit për dhënie të fondeve kesh, që ka qenë 50 euro tash është bërë 500 euro, si dhe ndryshimi tjetër që të fshihet emri i donatorit, që është një kthim mbrapa sepse më herët ka qenë e ditur se kush po dhuron mjete financiare për subjektet politike. Pastaj kanë qenë edhe disa çështje që lidhen me transparencën, sa i përket raportimeve më të shpeshta që është kërkuar gjatë fushatës zgjedhore”, tha Ismaili.

Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë. Mirëpo, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, partitë e tjera nuk e kanë të publikuar as raportin financiar për fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG