Ndërlidhjet

I papunë në kohë pandemie


Prishtinë, prill, 2020.
Prishtinë, prill, 2020.

Mehdi Mala 41 vjeç ka mbetur pa punë për shkak të masave emergjente, që kanë detyruar shumë biznese të mbyllen.

Paga që ai ka marrë në një kompani private, ka qenë burimi kryesor i të ardhurave për familjen e tij katër anëtarëshe.

"Kam qenë i angazhuar në një kompani e cila kryen shërbime hoteliere, kryesisht në ndërtesat qeveritare dhe na është dashur të ndërprejmë punën më datën 13 mars, sipas vendimit të qeverisë”, thotë ai

Mbyllja e aktiviteteve hoteliere ka qenë një nga masat e para për parandalimin e përhapjes së koronavirusit që janë marrë nga Qeveria e Kosovës.

Mala, i cili kishte punuar deri më datën 13 mars, thotë se ka marrë vetëm pagën e muajit mars dhe se në muajin prill nuk do të paguhet.

“Rrogat e marsit kompania i ka shpërndarë, por nuk kemi më ndonjë vendim nga kompania për vazhdim të punës”, thotë ai.

Pas mbylljes së shumë aktiviteteve biznesore, Qeveria në detyrë e Kosovës, ka marrë vendim që përmes një pakoje emergjente fiskale të ndihmojë punëtorët dhe kompanitë e prekura nga masat kundër koronavirusit.

Sipas Malajt, kompania që ai ka punuar, ka bërë aplikimin për të përfituar nga pakoja emergjente, megjithatë, ai shton se ende nuk ka marrë këto mjete, që sipas tij, janë të pamjaftueshme.

“Njëqind e shtatëdhjetë euro nuk janë as për së afërmi të mjaftueshme, por ne po besojmë që kompania do të na kompensojë edhe pjesën tjetër të pagës”, thotë ai.

Në pakon emergjente fiskale – e cila është në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh –është paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente, të përfitojnë nga 170 euro për dy muajit e ardhshëm (prill dhe maj).

Mala tregon se kanë menduar që të bëhet një marrëveshje mes punëdhënësit dhe punëmarrësit që nëse kompania bën një pjesë të pagesës për muajin prill, punëtorët në të ardhmen të punojnë një orë më shumë për kompaninë.

Gruaja e Medihut është përkujdesur më shumë për fëmijët, derisa Mehdiu ka punuar, por tani kur të dytë janë të papunë dhe në shtëpi Mehdi Mala thotë se po angazhohet me aktivitet mësimore për fëmijët.

“Kam dy fëmijë, para pandemisë kanë qenë në institucione parashkollore, tani po bëjmë aktivitete edukative në shtëpi. Jam angazhuar në këshillin drejtues të një institucioni parashkollor dhe aty mbajmë takime online dhe marr udhëzime se si të veprojë më fëmijët në shtëpi”, thotë ai.

Pasiguria financiare

Mehdi Malën e shqetëson fakti se sektori i hotelerisë është i fundit që hynë në kategorinë e heqjes së masave kufizuese.

Sa më gjatë që vazhdon të jesh i pa punë dhe pa të ardhura financiare, thotë Mala, aq më e vështirë bëhet mbijetesa.

“Sektori ku unë punoj thuhet se do të jetë i fundit në masat lehtësuese. Ne po shpresojmë që në muajin qershor të fillojmë edhe pse është shumë gjatë. Prandaj është një pasiguri ekonomike e madhe... është vështirë. Në kohën kur tani më së shumti duhen mjete financiare, është vështirë t’i mbulosh të gjitha obligimet”, thotë ai.

Punën gjatë kësaj kohë e kanë humbur të punësuarit në sektorin privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë. Në këtë sektor vlerësohet se punojnë mbi 220 mijë punëtorë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë ndonjë numër se sa të punësuar kanë mbetur pa punë, por që numri sipas tij, llogaritet të jetë i madh.

“Të punësuarit janë larguar nga puna në disa raste pa ndonjë arsye. Shumica prej tyre as nuk janë paguar, ju janë shkelur të drejtat e tyre. Kemi raste kur janë larguar në mënyrë kolektive nga puna i gjithë stafi dhe nuk janë përfillur as ligjet në fuqi”, thotë ai.

Dyzetë mijë punëkërkues të rinj

Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës bëjnë të ditur se është rritur numri i atyre të cilët po regjistrohen si të papunë pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

Numri i regjistruar i të papunëve në këtë agjenci ka arritur në mbi 110 mijë.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj Agjencie, Drin Haraçia, tha për Radion Evropa e Lirë se në zyrën e punësimit gjatë javëve të fundit janë regjistruar mbi 40 mijë persona të rinj si të papunë.

“Deri më tani më datën 30 prill numri i qytetarëve që janë futur në sistem si punëkërkues është 40 mijë. Duke llogaritur edhe rreth 75 mijë persona që kanë qenë të regjistruara para datës 13 mars të regjistruar, atëherë llogaritet që në Kosovë numri i personave të regjistruar si të papunë është mbi 110 mijë”, thotë Haraçia.

Mijëra punëtorë aplikuan për të përfituar nga pakoja

Mbi 115 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë, kanë parashtruar kërkesa për kompensim të pagave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në mënyrë që të përfitojnë nga pako emergjente fiskale e Qeverisë së Kosovës.

Ilir Murtezaj drejtor i përgjithshëm i ATK-së, tha për Radion Evropa e Lirë, se nga data 11 prill, kur ka filluar aplikimi në sistemin elektronik për përfitime nga pakoja fiskale, e deri më datën 29 prill, në ATK kërkesa për kompensim të pagave kanë paraqitur gjithsej mbi 20 mijë biznese.

“20,258 biznese kanë parashtruar kërkesa në Administratës Tatimore të Kosovës për kompensim të pagave për punëtorët në bazë të pakos emergjente fiskale, me numër të përgjithshme të punëtorëve 115,420”, ka bërë të ditur Murtezaj.

Papunësia para pandemisë, rreth 30 për qind

Të dhënat ndër vite të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kanë treguar se papunësia në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e lartë. Në vitin 2019, sipas ASK-së, papunësia ishte 25.7 për qind.

Sipas këtyre të dhënave për vitin 2019, numri i qytetarëve të punësuar, ishte 363,180 persona, ndërsa të papunë, por që ishin në kërkim të një vendi pune ishin 176,743 persona.

Ndërkohë, mbi 700 mijë persona në Kosovë janë në moshe punë, por ekonomikisht joaktivë. Personat ekonomikisht joaktivë përfshijnë studentët, amviset, punonjësit e dekurajuar dhe persona të tjerë.

Kosova ka vuajtur nga papunësia ndër vite. Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4 për qind nuk ka arritur t’i zbusë këto probleme.

Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovë pandemia COVID-19 do të ndikojë në një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind.

Ndërkaq, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas pandemisë, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG