Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje të enjten për forcim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, dhe ka vlerësuar se sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar.
Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën për qëndrueshmërinë kombëtare.
“Sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara kibernetike, ushtarake, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar", ka thënë Osmani, duke bërë thirrje për trajnim ekspertësh dhe bashkëpunim me partnerët strategjikë për ndërtim të kapaciteteve për të garantuar mbrojtje.
“Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas standardeve më të larta të NATO-s, mbetet prioriteti ynë strategjik e kombëtar”, ka thënë Osmani, duke përmendur se investimi në armatim, personel ushtarak dhe mirëqenien e tyre është jetik, ashtu sikurse investimi në institucione tjera të sigurisë.
Ajo ka përmendur edhe sigurinë energjetike si shumë të rëndësishme për sigurinë kombëtare.
“Shteti ynë duhet të investojë në përmirësim të infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme”.
* Radio Evropa e Lirë ka publikuar këtë video më 28 janar, ku ka analizuar projektet që partitë po premtojnë si zgjidhje për furnizim të rregullt me energji elektrike.
Në dhjetor të vitit që lamë pas, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pati thënë se aktorë të huaj keqdashës synojnë ta minojnë demokracinë e Kosovës dhe që dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta gjithmonë, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.
Ramadan Ilazi, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), pati thënë për Radion Evropa e Lirë se fushatat dezinformuese shpërndahen qëllimshëm në Kosovë për t’i tensionuar marrëdhëniet ndëretnike.
“Kemi fushata që kanë për qëllim të krijojnë mosbesim - sidomos në mesin e komunitetit serb - ndaj institucioneve publike në Kosovë dhe që synojnë të krijojnë një lloj perceptimi sikur në veri [të Kosovës] e kemi një situatë represioni të vazhdueshëm ndaj qytetarëve atje”.
Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, pati përmendur Serbinë, në nivel të njëjtë me Rusinë, si shtete keqdashëse kundrejt Kosovës dhe aleatëve të saj.
Përveç Rusisë, në një raport të zyrës së Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, të publikuar këtë vit rreth qarkullimit të dezinformatave në vend, janë përmendur edhe përpjekjet e dëmshme të Kinës.
Sipas gjetjeve, mediat shtetërore të të dyja vendeve kanë luajtur rol të rëndësishëm në përhapje të narrativëve keqdashës: mediat ruse kanë cituar nacionalizmin serb në Kosovë dhe kanë ngritur paralele false me Krimenë për të dëmtuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa mediat kineze kanë kritikuar përfshirjen perëndimore dhe të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, duke i portretizuar si forca destabilizuese, dhe duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e tyre.
"Bashkërendimi i Kosovës me NATO-n"
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të enjten në konferencë se, Kosova vazhdon që t’i bashkërendojë të gjitha përpjekjet e saj në drejtim të anëtarësimit në NATO.
“Ne nuk synojmë vetëm të përfitojmë nga aleancat, por edhe të kontribuojmë në to”.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përmendur se përveç qëndrueshmërisë ushtarake, në epokën e avancimit të teknologjisë, rezistenca kibernetike është parësore.
“Sulmet kibernetike nuk njohin kufij dhe mund të destabilizojnë qeveritë, ekonomitë, dhe sistemet e infrastrukturës kritike. Ndërtimi i rrjeteve të sigurta dhe aftësia për rimëkëmbje të shpejtë duhet të jetë prioritet i çdo strategjie", ka thënë ai.
Zyrtarët e Kosovës përmendin vazhdimisht se synojnë anëtarësimin e vendit në këtë NATO, ndonëse janë të vetëdijshëm se anëtarësimit në këtë aleancë veri-atlantike duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare.
Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.
Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.