Pas takimit që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u tha se “është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon”, por nuk u dhanë më shumë detaje.
Në njoftimin për media të presidencës, thuhet se Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit.
Escobari nuk ka folur për mediat rreth vizitës së tij në Kosovë.
Të hënën, ai është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.
"U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës. U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë", thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Mëngjesin e së martës, Escobari pritet të takohet edhe përfaqësues të partive politike opozitare.
Një ditë më herët, Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura në veri të Kosovës nga serbët lokalë.
Bashkë me Esobarin në Kosovë ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.
- Chollet anulon vizitën në Ballkan pasi doli pozitiv me COVID-19
- SHBA bën thirrje për çmontimin e barrikadave në veri
Vizita vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është e tensionuar.
Barrikadat e ngritura më më 10 dhjetor, bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Ky veprim i serbëve lokalë erdhi pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndaj u caktua një muaj paraburgim
Të dielen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu.
- Për më shumë rreth zhvillimeve në veri, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.