Ndërlidhjet

Orban në Shqipëri, nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi


Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban pritet me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban pritet me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare. Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Orban është i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szillarto dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Marton Nagy.

Të dyjat palët kanë nënshkruar disa marrëveshje, ndër to edhe Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë për zhvillimin e një bashkëpunimi më të madh në fushën e Integrimit Evropian, si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e menaxhimit të ujit ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Hungarisë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe homologu i tij hungarez, Viktor Orban, më pas kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për gazetarët.

Orban kritikoi BE-në në lidhje me zvarritjen e procesit të integrimit. Sipas tij, BE-ja nuk e ka kuptuar ende rëndësinë e Ballkanit Perëndimor.

"Konkurrenti i Evropës është në rënie dhe çështja është si mund ta konsiderojmë integrimin e Ballkanit në BE, është një problem apo një mundësi? Nëse Evropa nuk do të mbetet pas në zhvillimin botëror, rezervat e rritjes ekonomike janë në Ballkan dhe nuk gjenden në asnjë rajon tjetër të Evropës. Për këtë arsye kërkojmë që Shqipëria të anëtarësohet. Sa i përket BE-së, është e turpshme dhe e papranueshme se sa ngadalë po ecën zgjerimi i saj", tha Orban, duke theksuar se Shqipërisë i janë dashur 13 vjet që të marrë statusin e vendit kandidat.

BE-ja nuk është në gjendje të mirë sot, do të paguajë një çmim të lartë nëse nuk e pranon Ballkanin [Perëndimor]".
Viktor Orban

"Nuk kam bindjen e patundshme se politika e zgjerimit është diçka e mirë, duhen parë perspektivat e reja. Por, jemi të përkushtuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe ky proces duhet përshpejtuar. Kam mbështetur nismat e kryeministrit Edi Rama”, u shpreh Orban.

Ai theksoi se mbështetja financiare e BE-së për Ballkanin është shumë e ulët krahasuar me fondet që jepen për vendet e tjera.

“Nuk duhet pritur formalizimi i anëtarësimit për të lehtësuar veprimtarinë e një vendi për t'u futur në këtë hapësirë. BE-ja nuk është në gjendje të mirë sot, do të paguajë një çmim të lartë nëse nuk e pranon Ballkanin [Perëndimor]", theksoi Orban në Tiranë ku po qëndron për vizitë zyrtare.

Ai foli gjithashtu për mundësinë e shtimit të investimeve hungareze. Kompanitë hungareze do të jenë gjithnjë respektuese të ligjit, tha Orban, duke garantuar shtim të investimeve dhe thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve.

"Turizmi përbën 15 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, edhe pse nuk kemi det, ndaj jemi gati të japim ekspertizën tonë për këtë sektor. Gjithashtu duam të shtrihemi në sektorin bankar, energjetik, të menaxhimit të ujit", shtoi ia.

Kryeministri Edi Rama tha se falë homologut të tij hungarez, Viktor Orban, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë hyrë në një fazë të re.

"Duam të kemi më shumë kompani hungareze, kemi folur për të sjellë më shumë ekspertizë dhe investime në fushën e energjisë dhe të turizmit. Turistët nga Hungaria janë shtuar çdo vit", theksoi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp.

Orban do të takohet edhe me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në profilin e tij në Facebook, kryeministi hungarez ka paralajmëruar marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve.

“Mbërritëm në Shqipëri, na presin marrëveshje të rëndësishme!”, ka shkruar ai.

Vetëm dy javë më parë, Shqipërinë e vizitoi presidentja e Hungarisë, Katalin Novak.

Në fokus të takimit me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, ishin zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, plagosja e ushtarëve të KFOR-it, mes të cilëve edhe disa hungarezë.

Gjithashtu u fol për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, por edhe për thellim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë numri i kompanive hungareze në Shqipëri është dyfishuar që nga vitit 2015.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG