Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) po përgatitet të dërgojë inspektorë në dy ndërtesa bërthamore ukrainase me kërkesë të Ukrainës, pas pretendimeve ruse se Ukraina mund të dislokojë të ashtuquajturat “bomba ndotëse”, akuza që Kievi i hedh poshtë.
Ukraina dhe aleatët e saj kanë hedhur poshtë pretendimet ruse se Kievi po zhvillon një “bombë ndotëse” për ta përdorur kundër forcave të Moskës dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, ka ftuar ANEB-in “që urgjentisht të dërgojë ekspertë në ndërtesat paqësore në Ukrainë ku Rusia pretendon se po zhvillohet ‘bomba ndotëse’”.
Kuleba tha se Ukraina gjithmonë ka qenë transparente dhe “nuk ka asgjë për të fshehur”.
Në përgjigje të kërkesës së Kulebës, ANEB-i tha se po përgatitet që të dërgojë inspektorë në dy ndërtesa ukrainase.
Shefi i ANEB-it, Rafael Grossi, tha përmes një deklarate se dy lokacionet janë nën mbikëqyrjen e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara dhe janë vizituar rregullisht nga inspektorët e agjencisë.
ANEB-i “është i vetëdijshëm për deklaratat e bëra nga Federata Ruse [më 23 tetor] lidhur me aktivitetet e supozuara në dy lokacione bërthamore në Ukrainë”, tha Grossi dhe shtoi se këto dy lokacione kanë qenë subjekt i inspektimeve dhe njëri prej tyre ishte inspektuar muajin e kaluar dhe nuk është gjetur asnjë aktivitet i padeklaruar bërthamor apo ndonjë material.
“ANEB-i po përgatitet të vizitojë këto lokacione në ditët në vijim”, u tha në deklaratë.
Pretendimet e Rusisë se Kievi po planifikon të dislokojë “bombë ndotëse” – që është një bombë konvencionale, por e mbushur me materiale radioaktive, biologjike dhe kimike – erdhën pas një sërë bisedash telefonike që ka zhvilluar ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, me homologët e tij nga disa shtete të NATO-s.
Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët duke hedhur poshtë pretendimet, pas bisedave me Shoigu, në të cilat ministri rus nuk dha dëshmi për këtë pretendim.
“Shtetet tona e kanë bërë të qartë se ne të gjithë hedhim poshtë pretendimet e rreme të Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë ‘bombë ndotëse’ në territorin e saj”, u tha në deklaratën e këtyre tri shteteve.
Por, Rusia ka përforcuar pretendimin e saj, që vjen disa javë pasi ushtria e Moskës po pëson humbje në jug dhe lindje të Ukrainës.
“Sipas informacioneve që kemi, dy organizata në Ukrainë kanë instruksione specifike për të krijuar të ashtuquajturat ‘bomba ndotëse’. Kjo punë është në fazën finale”, tha gjenerallejtënant Igor Kirillov më 24 tetor.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, tha në orët e vona të 24 tetorit se ka biseduar me homologun e tij britanik, Tony Radakin, i cili hodhi poshtë pretendimet ruse se Ukraina po përgatit veprime për të përshkallëzuar konfliktin.
Gerasimov po ashtu ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun amerikan, gjeneralin Mark Milley, i cili po ashtu përsëriti mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën.
“Gjenerali përsëriti mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, u tha në deklaratën e lëshuar nga SHBA-ja.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Moska vazhdimisht bën pretendime, të cilat, sipas tij, hidhen poshtë nga aleanca ushtarake.
“Aleatët e NATO-s hedhin poshtë këto pretendime. Rusia nuk duhet ta përdorë këtë si pretekst për përshkallëzim. Ne qëndrojmë të palëkundur në mbështetjen për Ukrainën”, tha ai përmes një postimi në Twitter.
Pretendimet e Moskës se Ukraina mund të dislokojë “bombë ndotëse” kanë rritur shqetësimet se Rusia mund të përdorë një armë të tillë dhe t’ia lë fajin Kievin.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA-ja nuk ka parë asnjë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore, por tha se do të ketë pasoja për Moskën nëse përdorë “bomba ndotëse” apo çdo armë tjetër bërthamore.
“Sigurisht se do të ishte një shembull tjetër i brutalitetit të presidentit [rus, Vladimir] Putin, nëse do të përdorte të ashtuquajturat ‘bomba ndotëse’. Do të ketë pasoja për Rusinë nëse përdor ‘bomba ndotëse’ apo bomba bërthamore. Ne kemi qenë shumë të qartë për këtë”, tha Price.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë kërcënime të maskuara për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore ndaj fqinjit të tij.