Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të hënën se ka vendosur një sistem të ri për emërimin e varianteve të koronavirusit.
Tani e tutje, OBSH-ja tha se do të përdorë shkronjat greke.
Varianti britanik, për shembull, është etiketuar si Alfa, ai i Afrikës së Jugut si Beta dhe varianti indian si Delta.
Në fillim të këtij muaji, Qeveria e Indisë e kritikoi emërtimin e variantit B.1.617.2 - të zbuluar për herë të parë në Indi, tetorin e kaluar - si “variant indian”, ndonëse OBSH-ja nuk e ka etiketuar kurrë zyrtarisht si të tillë.
“Asnjë vend nuk duhet të stigmatizohet për zbulimin dhe raportimin e varianteve”, tha Maria Van Kerkhove, epidemiologe në OBSH.
Ajo bëri thirrje për një “mbikëqyrje të fuqishme” të varianteve dhe për ndarjen e të dhënave shkencore, që do të ndihmonin në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.
Shkronjat greke do t'u referohen edhe varianteve shqetësuese, edhe varianteve të interesit.
Një listë e plotë e emrave është publikuar tashmë në faqen e internetit të OBSH-së.
Van Kerkhove tha se shkronjat greke nuk do t’i zëvendësojnë emrat ekzistues shkencorë.
Nëse zyrtarisht identifikohen më shumë se 24 variante, shkronjat greke mbarojnë dhe OBSH-ja do të shpallë një program të ri të emërtimit, tha Van Kerkhove.