Ndërlidhjet

Numri i viktimave nga dhuna në jug të Sirisë arrin në mbi 1.300


Forcat e sigurisë siriane gjatë përleshjeve në Suveida më 15 korrik 2025.
Forcat e sigurisë siriane gjatë përleshjeve në Suveida më 15 korrik 2025.

Numri i viktimave nga përleshjet njëjavore në provincën Suveida, e banuar kryesisht me druzë, në jug të Sirisë, ka kaluar shifrën prej 1.300.

Kështu deklaroi Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – grup monitorues – teksa ky grup po vazhdon të konfirmojë vdekjet që ndodhën para se të hynte në fuqi armëpushimi gjatë fundjavës së kaluar.

Vëzhguesi tha se në mesin e viktimave përfshihen 933 pjesëtarë druzë, 533 nga ta luftëtarë dhe 300 civilë, si dhe 196 që “u ekzekutuan pa gjyq nga personeli i mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme”.

Shifra e re përfshin gjithashtu 423 pjesëtarë të forcave të sigurisë së qeverisë dhe 35 beduinë sunitë, tre prej tyre civilë që, sipas Vëzhguesit me seli në Britani, “u ekzekutuan nga luftëtarë druzë”.

Sipas monitoruesit, edhe 15 pjesëtarë të forcave qeveritare u vranë në sulmet ajrore izraelite.

Përleshjet njëjavore, që nisën më 13 korrik, fillimisht përfshinë luftëtarë druzë dhe fise beduine sunite, por forcat qeveritare ndërhynë në anën e këtyre të fundit, sipas dëshmitarëve, ekspertëve dhe Vëzhguesit sirian.

Një armëpushim ka hyrë në fuqi më 20 korrik, pasi luftëtarët beduinë dhe fisnorë u tërhoqën nga qyteti Suveida dhe grupet druze rimorën kontrollin. Ndërkaq, forcat qeveritare janë dislokuar në pjesë të kësaj province.

Të martën, Kombet e Bashkuara njoftuan për zhvendosjen e stafit dhe familjarëve të tyre nga Suveida, duke shtuar se kanë dorëzuar një dërgesë të re ndihmash pranë Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, ndihmë që ka për destinacion Suveidën.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG