Ndërlidhjet

Numërohen rreth 80 për qind e votave me kusht, prin LVV-ja


Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numërojnë fletëvotimet gjatë zgjedhjeve parlamentare, në Prishtinë, Kosovë, shkurt 2025.
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numërojnë fletëvotimet gjatë zgjedhjeve parlamentare, në Prishtinë, Kosovë, shkurt 2025.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është drejt përfundimit të numërimit të votave me kusht nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Sipas përditësimit të fundit në ueb-faqen e KQZ-së të mërkurën në orët e hershme, janë numëruar 78.57 për qind e votave me kusht.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 40.21 për qind, apo 2.634 vota me kusht.

E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 18.11 për qind, apo 1.186 vota, pastaj vijnë Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.54 për qind, apo 887 vota, Lista Serbe me 11.37 për qind, apo 745 vota, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma me 6.21 për qind, apo 407 vota.

Numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara nisi këtë të martë, në ditën kur përfundoi numërimi i votave me postë, dhe pritet të përfundojë sot, sipas zyrtarëve të KQZ-së.

Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se procesi i numërimit të votave pritet të përfundojë më 5 mars.

Me rezultatet e tanishme, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, duhen së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka aktualisht 48 deputet.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

Procesi i numërimit të votave është aktualisht në javën e katërt.

KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.

Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.

Për më shumë, lexoni këtu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG