Ndërlidhjet

Katërmbëdhjetë të vdekur pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad


Ekipet e shpëtimit në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024.
Ekipet e shpëtimit në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024.

Në Novi Sad të Serbisë, 14 persona kanë vdekur pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor, bëri të ditur Zyra e Prokurorit Publik në Novi Sad.

Nga trupat e pajetë që u nxorrën nga rënojat, shtatë prej tyre janë identifikuar. Dy nga viktimat ishin gra dhe pesë burra, tha Prokuroria.

Autoritetet serbe bënë të ditur se në Qendrën Klinike në Vojvodinë gjenden dy gra dhe një burrë, identiteti i të cilëve ende nuk dihet.

Më herët, drejtuesja e kësaj qendre, Vesna Turkollova, tha se tre pacientë janë në gjendje të rëndë.

Ekipet e shpëtimit ende po vazhdojnë operacionet në stacionin hekurudhor në Novi Sad, qytetin e dytë më të madh në Serbi.

Për shkak të ngjarjes në Novi Sad, 2 nëntori është shpallur ditë zie në Serbi, njoftoi Qeveria serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat përgjegjës për këtë ngjarje do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen rëndë.

"Unë po ashtu po kërkoj prërgjegjësi politike, kur e përmenda Qeverinë e Serbisë", tha ai.

Vuçiq shtoi se personat që kanë për detyrë infrastrukturën hekurudhore, infrastrukturën e trafikut dhe ata për sigurinë, janë përgjegjës, duke shtuar se dikush duhet të shpjegojë se pse kjo strehë betoni nuk ishte pjesë e rikonstruktimit, kur i gjithë stacioni hekurudhor u rindërtua.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit.

“Ne do të insistojmë që të gjithë përgjegjësit të gjenden dhe ata që janë përkujdesur për gjendjen e kësaj strukture dhe të kësaj ndërtese të mbahen përgjegjës”, tha kryeministri serb.

Ai tha se streha që u shemb ishte ndërtuar në vitin 1964.

Ky stacion hekurudhor ishte ndërtuar më 1964. Më 2024, pas rikonstruktimit për tre vjet, ky stacion u hap sërish. Më 5 korrik, në hapjen e objektit të rindërtuar kishte marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Goran Vesiq, kryetarja e Qeverisë Krahinor Maja Gojkoviq dhe kryetari i Komunës së Novi Sad, Millan Gjuriq.

Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë bëri të ditur se streha që u shemb “nuk ka qenë subjekt i rindërtimit në kuadër të punimeve për rinovimin e objektit të stacionit në kuadër të projektit të ndërtimit të linjës së shpejtësisë së lartë Novi Sad-Suboticë”.

Siç u tha në njoftimin e kësaj kompanie, në kuadër të rikonstruksionit është punuar në pjesën e brendshme e stacionit, çatisë dhe fasadës sipër dhe poshtë strehës.

Kontraktori për rikonstruktimin ishte konsorciumi kinez CRIC&CCCC (China Railway International Co.Ltd) dhe China Communications Construction Company Ltd.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG