Agjencia për Menaxhim Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur se në 12 orët e fundit janë regjistruar 72 vatra zjarri dhe prej tyre 11 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 61 të tjerë janë lokalizuar.
“Situata më e rënduar është paraqitur në Komunën e Kamenicës, në fshatin Tugjevc dhe fshatin Gmicë”, ka thënë agjencia përmes një postimi në Facebook.
Ajo ka thënë se për ta shuar zjarrin në fshatin Gmicë e ka kërkuar edhe ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit po përballen me temperatura rreth 40 gradë Celsius këtë javë.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë.
Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur.
Situatë e rënduar me zjarre është edhe në vendet fqinje.
Në Mal të Zi është raportuar për një ushtar të vdekur dhe një tjetër të plagosur si pasojë e përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për t’i shuar zjarret në rajonin Kuça afër Podgoricës, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes.
Sipas autoriteteve, ushtria, në bashkëpunim me autoritetet, është duke kryer hetime lidhur me incidentin.
Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.
Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore.