Ndërlidhjet

Nis numërimi i votave të diasporës


Foto nga votimi në një nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 8 shkurt 2025.
Foto nga votimi në një nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 8 shkurt 2025.

Më shumë se dy javë pas mbajtjes së zgjedhjes parlamentare në Kosovë, sot ka filluar numërimi i një pjese të votave të diasporës, specifikisht i atyre që votuan në përfaqësitë diplomatike.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se “është e pamundur të thuhet se sa do të zgjasë numërimi”, por se rezultatet do të publikohen sapo të kenë përfunduar numërimet e vendvotimeve – si ato të subjekteve politike, ashtu edhe ato të kandidatëve për deputetë.

Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votimin fizik të pjesëtarëve të diasporës në përfaqësitë diplomatike të shtetit nëpër botë. Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.

Në konferencën e mbajtur të mërkurën, Elezi tha se në këto vendvotime janë ndjekur të njëjtat procedura të sigurisë si në vendvotimet në Kosovë, për të siguruar integritetin e zgjedhjeve.

Përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile në Kosovë janë ankuar për kohëzgjatjen e procesit të numërimit dhe verifikimit të votave, por KQZ-ja ka insistuar se po ruan integritetin e votave dhe se po i jep prioritet saktësisë para shpejtësisë.

Më se 73 për qind e të regjistruarve e shfrytëzuan të drejtën e votës, përkatësisht mbi 15 mijë nga rreth 20 mijë personat e regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike.

Deri më tani, për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit ka përfunduar numërimi i votave të rregullta për partitë dhe kandidatët për deputetë. Aktualisht janë duke u skenuar listat e votuesve, në mënyrë që të mund të vazhdohet me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me postë.

Përveç votimit nëpër ambasada dhe konsullata, mërgata ka votuar edhe përmes postës. Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 69 mijë pako me fletëvotime, janë aprovuar gati 63 mijë zarfe, ndërkaq më pak se pesë mijë janë refuzuar.

Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Shembull, 729 zarfe nuk janë vlerësuar fare pasi aplikuesit kishin zgjedhur të votonin fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Arsyet e tjera të refuzimit përfshijnë dërgimin e zarfeve me fletëvotim më shumë se një herë apo sepse pakot nuk kanë pasur vulë postare e të tjera.

Sipas rezultateve preliminare, që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.8 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind.

E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara.

Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG