Ndërlidhjet

Nimetz: Nuk do të preket identiteti maqedonas


Nikolla Dimitrov dhe Matthew Nimetz gjatë konferencës së sotme për media në Shkup
Nikolla Dimitrov dhe Matthew Nimetz gjatë konferencës së sotme për media në Shkup

“Ka dallime mes palëve rreth kontestit për çështjen e emrit, megjithatë besoj se është e mundur arritja e një marrëveshje”, ka theksuar në Shkup ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara në bisedimet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, Matthew Nimetz.

“Besoj se zgjidhja e cila mund të arrihet do të jetë konsistente. Ka dallime në qëndrimet midis dy vendeve, por jam optimist”, ka thënë Nimetz, gjatë konferencës të përbashkët për shtyp me shefin e diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov.

Nimetz u pyet nëse propozimet e tij, përpos ndryshimit të emrit, në vete ngërthejnë dhe ndryshime që kanë të bëjnë me identitetin e popullit maqedonas. Lidhur me këtë, ai u shpreh se “nuk ka hapësirë për shqetësim se populli maqedonas mund të humbas identitetin dhe gjuhën”, duke shtuar se nga pala greke nuk ka dëgjuar ndonjë propozim që do të kërcënonte identitetin e maqedonasve.

“Ne po negociojmë për emrin e shtetit dhe jo për gjuhën dhe identitetin e maqedonasve. Tani është koha për zgjidhje, tani është momenti dhe ne duhet ta kapim atë. E di që nuk është lehtë, por më tutje do të bëhet më vështirë. Prandaj, këto muajt që vijnë janë kyçe dhe vendimtare për një zgjidhje për të dyja vendet”, është shprehur Nimetz.

Në anën tjetër, edhe shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov është shprehur i prerë se me zgjidhjen e kontestit të emrit nuk preket në asnjë mënyrë identiteti i popullit maqedonas.

Dimitrov ka thënë se nëse një gjë e tillë vendoset për t’u negociuar, atëherë kjo për palën maqedonase do të thoshte se i tërë procesi do të bllokohej.

“Nëse arrihet në pikën që do të duhet të preket çështja e identiteti të popullit të Maqedonisë, për fat të keq më duhet të them se në atë rast nuk do të ketë zgjidhje të kontestit”, u shpreh Dimitrov.

“Ne kemi mirëkuptim për qytetarët e Greqisë që e identifikojnë veten si maqedonas, por në Evropë në shekullin e 21, jo vetëm fqinjët tonë në Greqi, por askush s`ka të drejtë të prekë ose kërcënojë të drejtën tonë të jemi maqedonas dhe të flasim në gjuhën maqedonase, e cila i përket grupit të gjuhëve sllave”, tha tutje shefi i diplomacisë maqedonase.

Dimitrov ka theksuar se çështja e kontestit të Maqedonisë paraqet një problem shumë të ndjeshëm dhe se Qeveria e vendit dëshiron që zgjidhja e këtij problemi të bëhet në mënyrë dinjitoze, si për qytetarët e Maqedonisë ashtu edhe ata të Greqisë.

Ai ka thënë se sa më shumë të theksohen vijat e kuqe, aq më shumë ngushtohet hapësira për t`u arritur një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

“Sa më shumë që në opinion flitet për vijat e kuqe, aq më pak mbetet hapësirë për bisedime dhe zvogëlohen gjasat që të arrihet një zgjidhje, e cila do të jetë e pranueshme për qytetarët e të dyja vendeve. Nga ana ynë ka vullnet për të zgjidhur këtë kontekst dhe shpresoj se edhe nga pala tjetër ka vullnet për të gjetur një mënyrë që do të çonte ka zgjidhja e kontestit”, ka nënvizuar shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov.

Ndryshe, Matthew Nimetz fillimisht gjatë ditës është takuar me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zev, ndërkohë që gjatë orëve të pasdites ka realizuar takime me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferin, liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin si dhe liderin e partisë maqedonase në opozitë, Hristijan Mickoski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG