Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë kundër deputetit të partisë në pushtet, Partia Socialiste, Plarent Ndreca, për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë.
Prokuroria tha se pasi përfunduan hetimet ndaj Ndrecës, ai u njoftua të premten përmes avokatit të tij se ngarkohet me veprën penale, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike.
Ky rast ka të bëjë me kohën kur Ndreca ishte sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë në vitin 2019.
Prokuroria e akuzon atë se ka bërë shkelje në tenderin për rindërtimin e katër komisariateve të policisë në vend, nga të cilat u realizuan vetëm dy.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në vend, ngriti kallëzim penal ndaj Ndrecës dhe disa zyrtarëve të tjerë më 2019, duke i akuzuar se kishin lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për rindërtimin e komisariateve të policisë së Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij numër 4 në Tiranë, duke cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë.
Ndreca mund të dënohet me burgim deri në tri vjet, nëse shpallet fajtor për këtë vepër, sipas Kodit Penal të Shqipërisë.
KLSH tha se kishte zbuluar rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Në këtë rast është marrë në pyetje më herët nga SPAK edhe ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Ndreca mori mandatin e deputetit në janar të këtij viti, pasi zëvendësoi Arben Ahmetajn, ish-zëvendëskryeministrin e shpallur në kërkim për disa vepra penale.
Pas ngritjes së aktakuzës ndaj Ndrecës, ka reaguar Partia Demokratike në opozitë. Kreu i grupit të deputetëve demokratë, Gazmend Bardhi, tha se Ndreca ka “gënjyer publikisht”, pasi më herët ka deklaruar se nuk ka qenë nën hetim nga SPAK.
"Për këtë nevojiten zyrtarë publikë si Plarent Ndreca, që për shërbimet në shkelje të ligjit, për mbështetjen ndaj klientelizmit dhe korrupsionit, shpërblehen nga Edi Rama duke u promovuar si deputet”, tha Bardhi.
SPAK ka njoftuar se do të publikojë më shumë hollësi për këtë çështje.
Ndreca ka mbajtur disa poste të rëndësishme në administratën publike prej vitit 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet. Ai ka qenë sekretar i Përgjithshëm në ministritë e Arsimit, të Mjedisit dhe të Punëve të Brendshme.