Ishte ende në fillim të 20-tave dhe punonte si kamerier në ishullin e njohur grek, Mykonos, kur e mendoi për herë të parë se përse fshati i tij në veri të Shqipërisë nuk pret turistë nga e gjithë bota.
U desh të kalonin mbi 13 vjet derisa ëndrra, që i lindi në një ndër destinacionet më të kërkuara në botë, t’i bëhej realitet në Fishtë të Lezhës.
Gëzim Prenga tregon se çdo natë, pas punës së mundimshme në emigracion, i pëlqente ta priste ditën tjetër me këtë mendim në kokë.
“Dëgjoja që Mykonos kishte qenë një tokë e thatë, me shtëpi të vjetra, dhe duke i restauruar, por duke e ruajtur origjinalitetin e tyre, ishte kthyer në një ishull të famshëm. Dhe, thosha me vete: nëse një tokë e thatë është shndërruar në destinacion të turizmit botëror, përse të mos ekzistonte kjo mundësi edhe për Fishtën, që ka natyrë të mrekullueshme”, kujton Gëzimi.
“Nuk kisha asnjë ide të qartë dhe asnjë pritshmëri se kjo mund të realizohej. Por, më pëlqente ta mendoja”, thotë ai.
Ëndrra që lindi në emigrim
Gjatë rrëfimit për Radion Evropa e Lirë, Gëzimi tregon se pasi mbaroi shkollën e mesme në Shqipëri, në vitin 2006, nuk kishte asnjë alternativë se çfarë mund të punonte dhe u nis drejt Greqisë.
“Bashkë me disa shokë vendosëm se nuk kishte asnjë alternativë në fshatin tonë, kështu që e pamë si zgjidhje emigrimin. Kemi ikur maleve në këmbë, ilegalisht, jemi kapur nga policia, jemi kthyer, kemi ikur sërish. Nuk dua as t’i kujtoj vështirësitë, problemet, e më pas edhe trajtimin në punë”, thotë 35-vjeçari.
Por, pas katër vjetësh atje, ku punoi si kamerier në Mykonos, thotë se vendosi të kthehej në fshatin e tij.
“Më mirë bukën thatë dhe në shtëpinë time, sesa dyerve të botës. Dhe, u ktheva në Fishtë, ku pashë se disa gjëra kishin ndryshuar”, thotë Gëzimi.
Në fshatin e tij pa se po zhvillohej agroturizmi dhe u punësua në kantinën e verës së një prej bizneseve në këtë sektor.
Shtëpia e gjyshit - ta shembte apo ta kthente në bujtinë?
Ndër vite, kujton se nxitej që të kishte edhe ai agroturizmin e tij, por se shpesh e pengonte frika nëse do të kishte sukses.
Kështu, deri para pesë muajve, kur ëndrrën që i lindi në tokë të huaj, e bëri realitet në tokën e të parëve të tij.
“Vendosa që shtëpinë e gjyshit ta kthej në një bujtinë. Ajo ishte thuajse e degraduar, me suva të rëna, me lagështirë, me gurë që kishin nisur të binin. Një pjesë ishte kthyer në magazinë, një pjesë përdorej për të ruajtur ushqimin për bagëtitë. Madje, edhe lopët i mbanim në një cep të saj... dhe sot, këtu vijnë e rrinë turistë nga e gjithë bota”, thotë Gëzimi.
Ai tregon se shtëpia është rikonstruktuar duke ruajtur gjithçka siç ka qenë kur është ndërtuar në vitin 1950.
Trarët e tavanit, në madhësi e prerje të ndryshme dhe të çrregullta, kanë mbetur ashtu, thotë ai.
“Muret ishin harta-harta, për shkak të lagështirës e gjurmëve të kohës. Aty ndërhymë, duke vendosur një lloj tjetër guri, për t’i dhënë një pamje të këndshme për syrin. Dyshemeja është po ajo, prej drurit të pishës. Dritaret e vogla, dyert e ulëta, saqë miqtë duhet ta ulin kokën kur hyjnë në odën e burrave... Ashtu janë ruajtur të gjitha”, thotë Gëzimi dhe përmend edhe oxhakun me dru, mullirin ku bluhej kafeja, orën e vjetër dhe kandilin për ndriçim.
Ai thotë se disa herë ka menduar ta shembte këtë shtëpi të gjyshit, duke e konsideruar si të pavlerë, dhe ta rindërtonte ashtu siç ka ndodhur në disa zona të vendit, ku janë ngritur banesa prej një apo dy katesh.
Tani, thotë se është i lumtur që ajo ide i kaloi shpejt.
Së bashku me bashkëshorten Artën, por edhe me dy prindërit e tij, kujdesen edhe për fermën, ku mbajnë lopë, dele, pula, pata e kafshë të tjera, si dhe mbjellin perime.
Me të gjitha ushqimet bio u shërbejnë turistëve që thotë se vijnë nga vende të ndryshme të botës.
“Nuk e kisha menduar se kjo shtëpi e vjetër do të tërhiqte vëmendjen e kaq shumë turistëve dhe do të kishte kaq shumë vlerë. Mbaj mend se shumë vite më parë, kur po ndërtohej ‘Mrizi i Zanave’ [biznesi ku ka punuar], banorët e fshatit me shaka i thoshin pronarit të këtij agroturizmi të njohur: po ndërton stallë për bagëtitë? Sepse, asnjë nga ne nuk e mendonte se Fishta do të kthehej në destinacion turistik. Prandaj, edhe kur nisa ta rikonstruktoja shtëpinë, isha mosbesues deri diku”, kujton Gëzimi.
Turistë nga Evropa e SHBA-ja deri tek Iraku
Ai thotë se turistëve u pëlqen gjithçka: shtëpia, natyra, ushqimi, uji, qetësia.
Por, Bujtina “Vitoria”, që mban emrin e motrës së ndjerë të Gëzimit, duket se është e vogël për t’i përballuar kërkesat e turistëve.
“Turistët vijnë kryesisht nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Ukraina, por edhe nga Italia, Greqia, SHBA-ja. Madje, kam pasur turistë edhe nga Iraku - një familje me të cilën kam ruajtur kontaktet dhe pres të vijë sërish në vjeshtë”, thotë Gëzimi.
Brenda pesë muajsh, mosbesimi që kishte kur e nisi shndërrimin e shtëpisë së gjyshit në bujtinë, iu zhduk dhe tani thotë se e ka të vështirë t’i menaxhojë kërkesat në Booking - ueb-faqen ku ka të plasuar ofertën e tij.
“Deri në fund të tetorit, të gjitha datat janë të rezervuara. Mundi im në emigracion, por edhe në fshatin tim, ia ka vlejtur me këtë vendim që mora”, thotë Gëzimi.
“Të ardhurat që përfitoj, por edhe fakti që turistët ikin të kënaqur nga mikpritja dhe gjithçka që u ofrojmë, na bëjnë të ndihemi shumë mirë”, thotë Gëzimi.
Ai tregon se ka familje që qëndrojnë edhe për ditë të tëra dhe kanë mundësi ta vizitojnë edhe shtëpinë-muze të rilindasit At Gjergj Fishta, si dhe qendra të vogla të artizanatit në Fishtë, ku bëhen punime qeramike, punime në tezgjah, sapunë natyralë etj.
Qeveria e Shqipërisë ka hartuar këtë vit një strategji për agroturizmin, me të cilën synohet që deri në vitin 2027 të rriten pesha dhe ndikimi që ky sektor ka në ekonominë e vendit, e sidomos në zonat rurale ku ai zhvillohet.