Një frigorifer, një furrë për pjekje dhe mikseri ishin pajisjet të vetme që Femie Mazreku nga Malisheva kishte siguruar fillimisht për të hapur një ëmbëltore në Malishevë, rreth 50 km nga Prishtina, në bodrumin e shtëpisë.
Për nënën e pesë fëmijëve, rroga si profesoreshë e Gjuhës Shqipe nuk ka qenë e mjaftueshme për t'i rritur dhe arsimuar fëmijët.
Ndihma e një granti (ndihmë në formën e pajisjeve) përmes një organizate ndërkombëtare, dhe më pas të qeverisë, e bëri ëmbëltoren e Femie Mazrekut, “Bardha’s Cake”, një biznes familjar i cili sot ka të punësuar 24 persona (gjashtë nga ta pjesëtarë të familjes) dhe e zhvillon aktivitetin në një lokal me sipërfaqe prej 240 metrash katrorë.
“Puna, vullneti dhe përkushtimi fillimisht kanë qenë suksesi ynë, pastaj janë ndryshimet që kemi sjellë në qytetin e Malishevës. Në këtë qytet ka shumë pastiçeri, por kemi bërë ndryshime në produkte, duke filluar nga tortat, cilësia, recetat, koktejet kanë qenë më ndryshe”, tregon Mazreku, e cila vazhdon të punojë edhe në Shkollën e mesme edhe në ëmbëltore.
Së bashku me anëtarët e tjerë të familjes së burrit tashmë të ndjerë, ata përpiqen të zgjerojnë aktivitetin e tyre edhe në qytete të tjera në Kosovë. Ajo, megjithatë, shton se për këtë nevojitet mbështetje shtesë.
Si i ndihmon Kosova gratë në biznes?
Qeveria e Kosovës, aktualisht, është duke zbatuar njërën nga masat në Pakon e ringjalljes ekonomike për mbështetjen e bizneseve të grave.
Në bazë të kësaj mase, të gjitha gratë që kanë në pronësi biznese dhe dëshirojnë të zgjerojnë kapacitetet e tyre, mund të aplikojnë për subvencionim të shumës totale të kredisë deri në 20 për qind, pavarësisht sektorit në të cilin operojnë.
Antoneta Azemi, asistente ekzekutive e Ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, thotë se subvencionimi i kredisë mund të arrihet deri në 400 mijë euro. Marrja e kredisë duhet të jetë nga data 1 tetor.
“Me fjalë tjera, nëse personi merr kredi dy milionë euro, 400 mijë euro prej tyre i paguan shteti si subvencion për biznesin e gruas. Kreditë mund të jenë edhe në shuma më të larta, por ministria ka pikën kulminante 400 mijë euro, me të cilën e mbështet biznesin”, shprehet ajo.
Aplikimi për këtë subvencionim nga biznesi bëhet përmes sistemit elektronik EDI të Administratës Tatimore të Kosovës përmes një formularit të veçantë.
Kriteret për aplikim për subvencionimin e kredive, janë që biznesi të jenë në pronësi të grave apo gratë të kenë përqindjen më të madhe të pronësisë. Kusht për këtë duhet të jetë, që qëllimi i marrjes së kredisë të jetë zgjerimi i kapaciteteve të biznesit dhe së paku 50 për qind e mjeteve financiare duhet të investohen në pajisje dhe mjete të punës që ndërlidhen më aktivitetin e biznesit.
A mjafton subvencionimi i kredisë?
Femie Mazreku konsideron se më e leverdishme do të jetë dhënia e granteve nga Qeveria e Kosovës sesa subvencionimi i kredisë.
“Për të zgjeruar biznesin, nevojiten kredi. E, për të hapur pika të reja të biznesit na duhen edhe kredi të reja. Vlera e subvencionimit të kredisë nga Qeveria e Kosovës nuk është shumë e madhe, por sidoqoftë mjafton për fillim. Unë mendoj se më mirë është të japin grante dhe të mbikëqyret për një kohë biznesi që merr grant, sesa të subvencionojnë kredinë. Kjo ndihmë për subvencionim të kredisë është e mjaftueshme për fillim”, tha ajo.
Vlera e subvencionimit të kredisë është ndihmesë shtysë, por fillimisht nuk është gjithëpërfshirëse, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besa Zogaj-Gashi, drejtoreshë ekzekutive në Institutin për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL). Sipas saj, jo të gjitha gratë ndërmarrëse kanë mundësi të marrin kredi në banka komerciale.
“Sepse e dimë që shumë biznese të grave, për shkak të mungesës së kolateralit, nuk kanë pasur mundësi as të hyjnë në kredi, kjo masë i përjashton ato që nuk kanë kredi. Ka raste që bizneset, për shkak të vështirësive financiare, sidomos në kohën e pandemisë, nuk kanë pasur mundësi t’i përfundojnë pagesat me kohë dhe janë kategorizuar si kredi të këqija dhe me këtë kategorizim nuk kanë të drejtë të marrin kredi”, thotë ajo.
Për këtë arsye, Zogaj-Gashi thotë se grantet janë më të leverdishme në blerjen e pajisjeve dhe mjeteve të punës për zhvillimin e biznesit, sesa subvencionimi i kredive.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, mbi 28 mijë biznese janë të regjistruara me pronare gra, nga rreth 300 mijë biznese të regjistruara në nivel vendi.
Bizneset e grave janë kryesisht në sektorin e tregtisë me pakicë dhe shumicë.
Sa i përket tregut të punës në Kosovë ekzistojnë dallime të mëdha gjinore. Rreth 30 për qind e grave në moshë pune janë të papuna. Kurse, vetëm 16 për qind e grave janë të punësuara, ndërkaq rreth 43 për qind janë meshkuj.
Facebook Forum