Ndërlidhjet

Policia dhe Prokuroria: Në liqenin e Ujmanit nuk ka tela të lidhur në energji elektrike


Pamje e liqenit të Ujmanit.
Pamje e liqenit të Ujmanit.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë bërë të ditur se në liqenin e Ujmanit nuk ekzistojnë tela të lidhur në energji elektrike dhe as nuk paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, siç është pretenduar ditë më parë.

Përmes një komunikate të lëshuar për media nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovvs, është thënë se hetimet kanë nisur pas deklarimeve të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili ka pretenduar më 30 korrik se në liqenin e Ujmanit janë vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, dhe të cilët, sipas tij, rrezikojnë njerëzit.

Policia ka thënë se ka pranuar edhe një video lidhur me këtë rast, dhe e ka intervistuar personin në fjalë në cilësinë e dëshmitarit, i cili ka thënë se “gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët”.

“Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të mos shqetësohen dhe të mos ndihen të frikësuar, pasi çdo rast i dyshimtë do të trajtohet me kujdes dhe seriozitet maksimal”, ka thënë Policia përmes një komunikate për media, duke përmendur se njësitet policore kryejnë vazhdimisht patrullime në liqenin e Ujmanit.

Sipas komunikatës, Prokuroria ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elementë të ndonjë vepre penale

Liqeni i Ujmanit gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Më herët gjatë javës, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) e ka gjetur trupin e pajetë të Rrahim Latifit, 33-vjeçar, në këtë liqen, i cili dyshohet se ka kërcyer nga ura në ujë.

FSK-ja ka thënë se operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

Trupi u është dorëzuar autoriteteve për procedurat e mëtejme hetimore.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG