Pas numërimit të shumicës së votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se një pjesë e mirë e komunave do ta organizojnë rundin e dytë të zgjedhjeve lokale - më 9 nëntor - për t'i përcaktuar kryetarët e rinj.
Ndiqeni blogun tonë këtu për të rejat më të fundit lidhur me rezultatet zgjedhore.
Sipas rezultateve preliminare, në Prishtinë do të përballen Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me Hajrullah Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Në Prizren, Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të garojë me Artan Abrashin e LVV-së.
Në Pejë, Gazmend Muhaxheri i LDK-së do të përballet me Taulant Kelmendin e LVV-së.
Në Junik do të përballen Ruzhdi Shehu i LDK-së me Agron Kuçin e AAK-së.
Në Dragash, përballja do të jetë mes Bexhet Xheladinit të LDK-së dhe Shaban Shabanit të PDK-së.
Në Gjakovë pritet të përballet Ardian Gjini i AAK-së me Ardian Golën e LVV-së.
Në Kaçanik do të përballen Sabedin Vishi i PDK-së me Jeton Rakën e LVV-së.
Në Fushë Kosovë do të ketë garë mes Valon Prebrezës së LVV-së dhe Besnik Osmanit të LDK-së.
Në Mitrovicën e Jugut, gara do të zhvillohet mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të LVV-së.
Në Rahovec do të përballen Smajl Latifi i AAK-së me Ali Dulën e LVV-së.
Në Suharekë, gara do të zhvillohet mes Bali Muharremajt të AAK-së dhe Ardian Shalës së LDK-së.
Në Gjilan do të përballen Alban Hyseni i LVV-së me Arbër Ismajlin e LDK-së.
Në Viti do të ketë garë mes Sokol Halitit të LDK-së dhe Arsim Ademit të LVV-së.
Në Vushtrri, përballja do të jetë mes Ferit Idrizit të PDK-së dhe Sylejman Mehollit të LVV-së.
Në Obiliq do të përballen Xhafer Gashi i LDK-së me Halil Thaçin e LVV-së.
Në Klinë, përballja do të jetë mes Zenun Elezajt të AAK-së dhe Sokol Bashotës së PDK-së.
Në Kllokot do të përballen Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe me Sreqko Spasiqin nga Uniteti Kombëtar Serb.
Garën pa balotazh do ta përmbyllin: Agim Aliu i PDK-së në Ferizaj, Imri Ahmeti i LDK-së në Lipjan, Kadri Rahimaj nga LVV-ja në Kamenicë, Bashkim Ramosaj i AAK-së në Deçan, Ilir Ferati i LDK-së në Istog, Shpejtim Bulliqi i LVV-së në Podujevë, Sami Lushtaku i PDK-së në Skënderaj, Ekrem Kastrati në Malishevë dhe Ramiz Lladrovci nga partia Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin në Drenas.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, i ka fituar zgjedhjet në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Kjo parti ka fituar edhe në Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.
Dalja në këto zgjedhje ka qenë 39 për qind.
Sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kanë pasur 2.069.098 qytetarë.
Rreth 44.000 prej tyre kanë mundur të votojnë me postë nga jashtë vendit në periudhën 17 shtator – 11 tetor.
Procesi është zhvilluar i qetë, pa ndonjë incident të madh.