Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor që parashikojnë vendosjen e një njësie zgjedhore, të paraqitura nga deputetët e partive më të vogla parlamentare, gjatë javës që lamë pas kanë hyrë në procedurë parlamentare.
Ndryshimet e propozuara parashohin që i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut të përfshihet vetëm në një njësi zgjedhore pa prag zgjedhor, duke u mundësuar si partive më të vogla politike, ashtu edhe partive të komuniteteve më të vogla etnike, të ushtrojnë të drejtën e tyre të përfaqësimit në Kuvendin e vendit.
Deputeti Pavle Trajanov deputet nga Lidhja Demokratike , i cili është një nga propozuesit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, thotë për Radion Evropa e Lirë se me aplikimin e modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore do të zhbëhet monopoli që kanë instaluar partitë më të mëdha politike. Siç thekson ai, në bazë të sistemit aktual, votat e partive më të vogla janë të ndara në gjashtë njësi zgjedhore dhe në asnjë prej tyre nuk arrijnë të marrin asnjë mandat nëse nuk u bashkohen partive më të mëdha.
Trajanov thotë se sistemi aktual, si i tillë, eliminon përfaqësimin e partive më të vogla në Kuvend. Rrjedhimisht, kjo u mundëson partive më të mëdha të instalojnë kuadro të afërta me partinë që drejtojnë dhe institucionet, të cilat duhet të jenë të pavarura pasi ato i zgjedh Kuvendi që përbëhet nga forcat më të mëdha politike.
“Është instaluar monopol nga ana e partive më të mëdha politike, qoftë nga blloku politik shqiptar apo ai maqedonas. Këto parti politike tashmë 20 vjet askush nuk mund t’i tejkalojë. Përmes sistemit zgjedhor me një njësi zgjedhore, qytetarët kanë mundësi që zgjedhja e tyre të reflektohet dhe në Kuvend”, thotë Trajanov.
Por, Xhelal Neziri nga qendra hulumtuese SCOOP, thotë për Radion Evropa e Lirë se është i pakontestueshëm fakti se Kodi Zgjedhor duhet të pësojë ndryshime. Mirëpo, ai konsideron se këto ndryshime nuk duhet të shihen vetëm nën prizmin e përfitimeve nga parti caktuara. Neziri thotë se ndryshimet duhet të reflektojnë interesat e përgjithshme të qytetarëve për t’u përfaqësuar në formën sa më kualitative në institucionin ligjvënës, gjë të cilën, sipas tij, nuk e mundëson modeli me një njësi zgjedhore.
“Propozimi i partive të vogla që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, ekskluzivisht është në interesin e tyre partiak, por nuk sjell asnjë interes për interesin publik për vetë qytetarin, për vetë demokracinë në shtet. Problemi qëndron pikërisht te këndvështrimi ndaj Kodit Zgjedhor që deri më tani ka qenë thjesht partiak dhe jo qytetar. Mendoj se i tërë debati për fat të keq vazhdon të zhvillohet në këtë drejtim, nuk kyçen organizatat joqeveritare nuk inkuadrohen ekspertët, nuk inkuadrohet akademia, me qëllim që të arrihet një kod zgjedhor, një model zgjedhor, i cili do të ishte kualitativ, do të prodhonte një përfaqësim më të mirë dhe do ta bënte një demokraci më funksionale”, vlerëson Neziri.
Sipas tij, modeli me lista të hapura mundëson demokraci më të madhe në përzgjedhjen e deputetëve, të cilët do të duhej të ishin aty për mbrojtjen e interesave të qytetarëve që përfaqësojnë dhe jo partisë që i ka deleguar me një përfaqësim të drejtë rajonal.
“Për shkak të përfaqësimit të drejtë rajonal, vendi duhet të ketë tri njësi zgjedhore dhe jo gjashtë aq sa janë aktualisht. Kurse, listat e deputetëve medoemos duhet të jenë të hapura pasi në këtë mënyrë, përveç partisë, qytetarëve u mundësohet që të zgjedhin kandidatin e caktuar. Me zgjedhjen e kandidatit brenda partive politike, mendoj se qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojnë dhe për demokratizimin e vetë partive politike, në reformimin e tyre dhe në përmirësimin e performancës së tyre politike në skenë për të prodhuar një demokraci më kualitative që do të ishte në dobi për të gjithë qytetarët”, vlerëson Neziri.
Partitë politike shqiptare janë pro modelit për zgjedhjen e përfaqësuesve në institucionin ligjvënës përmes listave të hapura, por janë të ndarë për sa i përket njësive zgjedhore.
Bashkimi Demokratik për Integrim preferon të mbetet sistemi aktual me 6 njësi zgjedhore përderisa partia shqiptare në opozitë Aleanca për Shqiptarët, konsideron se përfaqësimi i shqiptarëve do të ishte më i denjë përmes 8 njësive zgjedhore
Ndërkaq, partia maqedonase në pushtet Lidhja Social Demokrate para se të vijë në pushtet është zotuar se do të angazhohet për modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore, ndërkohë që aktualisht mbron qëndrimin se për këtë duhet arritur konsensus me partitë politike relevante.
VMRO DPMNE-ja thotë se do të mbështesë draft-ligjin e propozuar nga partitë më të vogla me kusht që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut 120 deputetë zgjidhen sipas modelit të pastër proporcional në 6 njësi zgjedhore, i cili zbatohet nga viti 2002 deri në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2020.
Të gjitha tentimet për ndryshimin e këtij modeli kanë dështuar.
Facebook Forum