Ndërlidhjet

Ndotja e ajrit, rrezik për shëndetin dhe jetën e fëmijëve


Ndotja e ajrit në Prishtinë
Ndotja e ajrit në Prishtinë

Niveli i lartë i ndotjes së ajrit shihet si rrezik potencial për shëndetin, por edhe jetën e njeriut. Kjo ndotje, shihet si rrezik potencial për njerëzit me sëmundje kronike, ndër të cilët hyjnë edhe fëmijët.

Në Klinikën Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, numri i fëmijëve me probleme respiratore, apo sëmundje të mushkërive, është rritur. Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta se sa fëmijë gjatë vitit preken apo edhe vdesin nga këto sëmundje, profesionistë të fushës thonë se këto probleme shëndetësore lidhen me ajrin e ndotur.

Ajri në Kosovë në përgjithësi, e në veçanti në zonat urbane, është cilësuar të jetë shumëfish më i ndotur se normat e lejuara.

Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës thonë se nuk kanë të dhëna për vdekshmërinë e fëmijëve që lidhen me ajrin e ndotur.

Drejtoresha e Departamentit të Statistikave Shëndetësore në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Sanije Hoxha – Gashi, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike thotë për Radion Evropa e Lirë se, “këto të dhëna nuk raportohen nga institucionet shëndetësore”.

Ndërkaq, zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thekson se “ndotja e ajrit në Kosovë vlerësohet se çdo vit shkakton 835 vdekje të parakohshme”.

Në Klinikën Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës thonë se sidomos në sezonin e dimrit shtohet numri i fëmijëve që preken me sëmundje respiratore, apo edhe ato të mushkërive, e që një prej shkaktarëve është ajri i ndotur.

Edhe veturat e vjetra në Kosovë vlerësohen ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit
Edhe veturat e vjetra në Kosovë vlerësohen ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit

Muharrem Avdiu, pediatër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se tashmë kanë filluar të shtohen rastet me këto sëmundje dhe se një gjendje e tillë mund të zgjasë deri në muajin maj.

“Ne i kemi të mangëta të dhënat që do të mund të na ndihmonin për të sqaruar këtë problem. Por, nga përvoja në klinikë, e vërejmë se sidomos në kohën e dimrit, rriten infeksionet respiratore. Ne kemi repartet, por fëmijët që kërkojnë ndihmë, nuk i zë hapësira këtu, kështu që i shpërndajmë në gjithë klinikat”, thotë Avdiu.

Sipas tij, ka raste kur shtrëngohen të vendosin edhe nga dy fëmijë në një shtrat.

Problemet shëndetësore që shkakton ajri i ndotur janë evidente, thekson ai, por beson se rastet kur faktori ndotje e ajrit mund të çojë deri në vdekje, janë më të pakta.

“Vdekshmëria mund të them se është e vogël, pasi kujdesi nuk mungon dhe numri i mjekëve pediatër është i mjaftueshëm”, thekson Avdiu.

Rreth 600.000 fëmijë në botë vdesin çdo vit nga ajri i ndotur, thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Derisa raporti i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëroi se ndotja e ajrit shkakton çdo vit vdekjen e 7 milionë personave në botë, ndërsa 92% i rreth 4 miliardë personave në rajonin Azi-Paqësor janë duke thithur ajër toksik.

*Video nga arkivi: Masat kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë

Masat kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Rukije Mehmeti, pulmologe, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë të të dhënave të sakta si të sëmundjeve, po ashtu edhe të vdekshmërisë për patologji të caktuara.

“Ne nuk kemi të dhëna për sëmundjen. Por, numri i të sëmurëve me sëmundje kronike është në rritje, si te fëmijët, po ashtu edhe te të rriturit. Kjo vërehet sidomos kur fillon ndotja e ambientit, pasi këto raste të sëmundjeve rriten dukshëm”.

“Gjithashtu, te fëmijët po ndikon edhe pirja e duhanit në praninë e tyre nga ana e prindërve, e që mendoj se janë të papërgjegjshëm. Ndonëse kur i sjellin fëmijët nuk e pranojnë një gjë të tillë prindërit, ajo vërehet nga komplikimi i fëmijëve, sidomos te sëmundjet e mushkërive”, bën të ditur Mehmeti.

Ndërkaq, Ardita Tahirukaj, udhëheqëse e zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se ndotja e ajrit është në një nivel shqetësimi evropian.

“Ndotja e ajrit në Kosovë vlerësohet se çdo vit shkakton 835 vdekje të parakohshme, 310 raste të reja të bronkitit kronik, 600 pranime spitalore dhe 11,600 vizita emergjente”, thotë ajo.

Mjediset më të ndotura në Kosovë, sidomos për kah cilësia e dobët e ajrit, vlerësohet se janë Prishtina, zona e Obiliqit, Drenasi dhe Mitrovica.

“Termocentralet e KEK-ut (Kosova A dhe B në Obiliq) konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes së ajrit, megjithëse përveç emetimeve nga termocentralet, shfrytëzimin joracional të energjisë nga amvisëritë, djegia e thëngjillit dhe druve për ngrohje individuale, si dhe transporti dhe industria, e po ashtu edhe menaxhimi joadekuat i mbeturinave, janë kontribuues në ndotjen e ajrit”, shton Tahirukaj.

Në Raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thuhet se ajri i pastër që është nevoja më themelore, tashmë është shndërruar në një luks në shumë vende të botës. Aty thuhet se zbatimi i këtij projekti për ajrin e pastër, do të kushtojë 300-600 miliardë dollarë në vit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG