Ndotja e ajrit në Prishtinë ka arritur në nivele alarmante. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.
“Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave. Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën e hundën me shall”, thuhet në komunikatën për media të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Sipas të dhënave të Agjensionit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane vlerat e PM 2.5 janë mbi vlerat e lejuara.
Në rrugët e Prishtinës janë parë qytetarë të cilët i janë përgjigjur thirrjeve të Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike që të përdorin maska mbrojtëse.
Lindita Azemi qytetare, thotë se është mjaft e shqetësuar për nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet, ku ajo jeton bashkë me familjen e saj.
“Ajri i ndotur po shihet edhe me sy, po ashtu edhe kur po nuhatet, ka një aromë të çuditshme. Është për të ardhur keq. Unë mundohem të jetoj shëndetshëm të ushqehem shëndetshëm me aq mundësi sa kemi në Kosovë, ndërkohë kemi ajrin e ndotur që po na helmon”, thotë ajo.
Edhe Shqipe Sylejmani e cila jeton në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë flet për nivel të lartë të ndotjes së ajrit, e që sipas saj, po i krijon probleme në shëndet.
“Ajri në mëngjes ishte shumë i ndotur dhe në veçanti në mbrëmje po kalon në nivel edhe më të lartë të ndotjes. Kjo është një gjendje e rëndë po rrezikohemi nga ajri i ndotur. Institucionet dhe të gjithë ne duhet të bëjmë diçka në përmirësimin e pastërtisë së ajrit”, thotë Sylejmani.
Abedin Gashi, prindër i dy fëmijëve thotë të jetë më shumë i shqetësuar për së shumti për fëmijët e tij.
“Po mendoj qe kurrë nuk ka qene ajri më i ndotur se tani. Po shqetësohem shumë për shëndetin e fëmijëve të mi. Nuk di as çfarë masa të ndërrmarr. Vërtet keq”, thotë Gashi.
Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit në Prishtinë, ka vënë në alarm Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor dhe dikasteret tjera, të cilët kanë paralajmëruar masa për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.
Qeveria ka miratuar të hënën kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për krijimin e Task-forcës të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë akterët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit.
Ministrja e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka kërkuar që të merret vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit dhe lëndëve tjera djegëse - ndotëse për ngrohje në shkolla.
Derisa, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik është kërkuar që të merret vendimi për ndërprerjen e dhënies së thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut.
Ndërkohë, në koordinim me Komunën e Prishtinës është marrë vendim që në periudhat kur nivel i ndotjes së ajrit është i lartë të reduktohet qarkullimi i veturave në disa lagje duke bërë pa pagesë transportin publik.
Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.
Agron Bektashi, ekspert i çështjeve mjedisore në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se situata sa i përket çështjes së ndotjes së ajrit është serioze dhe duhet ndërmarrë masa urgjente.
“Situata është mjaft serioze dhe të gjitha këto matje qofshin nga institucionet e shtetit dhe Ambasada Amerikane, tregojnë se ndotja e ajrit në rajonin e Prishtinës është mund të them gati alarmante”.
“Nuk është një situatë që zgjidhjet brenda një dite, një jave apo gjashtë muajve. Kjo kërkon një strategji të detajuar dhe një bashkëpunim të ngushtë, që fatkeqësisht ka munguar ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe operatorëve ekonomikë dhe institucioneve relevante shtetërore. Të bëhet një konsensus për çështjen mjedisore, pasi që jemi në një situatë serioze”, thotë Bektashi.
Ndotja e ajrit, sipas Bektashit ka ardhur si pasojë e një zhvillimi të pakontrolluar dhe një planifikimi të keq urbanistik dhe hapësinor, si dhe mbipopullimit që është bërë në Prishtinë.
“Prishtina për shkak të mbipopullimit të cilën e ka përjetuar gjatë 15 viteve të fundit, ka një hyrje enorme të automjeteve, ku deri në 30 mijë automjete hynë në ditë, dhe në anën tjetër planifikimi i keq hapësinor në këtë vend ka lejuar të ndërtohet lagje të tëra të cilat ngrohen me sisteme vetanake, që shumica bazohen në thëngjill dhe dru”, thotë Bektashi.
Veturat e shumta, Korporata Energjetike e Kosovës, përdorimi i thëngjillit për ngrohje, kushtet e pafavorshme atmosferike po konsiderohen nga institucionet e vendit faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë.
Në Kosovë llogaritet të jenë afër 385 mijë vetura, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në vend është 18 vjet.
Për degradimin e mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Në raportet e këtyre mekanizmave, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimore dhe në Evropë.