Ndërlidhjet

Milionat e qeverisë, të pamjaftueshme për të ruajtur vendet e punës


Rahovec, shtator, 2020.
Rahovec, shtator, 2020.

Nga Oda e Afarizmit në Kosovë thonë se bizneset nuk mund të garantojnë se do të mbajnë në punë të gjithë punëtorët edhe pas ndarjes së 60 milionëshit nga Qeveria e Kosovës, thotë Skender Krasniqi, drejtor i kësaj organizate.

Bizneset të cilat kanë pasur humbje si pasojë e pandemisë me COVID-19 do të ndihmohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë kompanitë. Për këto biznese, nga ky Fond, i cili kap vlerën e mbi 350 milionë euro, pritet të ndahen 60 milionë euro.

Ministria e Financave ka bërë të ditur se prej 60 milionë euro, mbi 35 milionë euro u janë ndarë disa bizneseve.

Pjesa tjetër e bizneseve, do të marrin ndihmën nga qeveria, pasi të bëjnë përditësimin e të dhënave të tyre në Administratën Tatimore të Kosovës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një deklaratë dërguar mediave më 9 tetor, ka deklaruar se transferet e planifikuara prej 60 milionë euro duhet të sigurojnë që do të mbrojnë vendet e punës në kompanitë që do të mbesin aktive pas përfundimit të pandemisë.

Sipas FMN-së, transferet në kompanitë private duhet të jenë të targetuara, transparente dhe lista e përfituesve duhet të bëhet publike, në përputhje me legjislacionin.

Megjithatë, Krasniqi thotë se shuma prej 60 milionë euro e cila do të ndahet përafërsisht për rreth 37 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë, është e vogël, nuk ndihmon një biznes që të zhvillojë afarizëm për të mbajtur të gjithë punëtorët në punë.

“Është vlera e vogël, mund të jetë maksimalisht përkrahje për një muaj dhe nuk garanton mbajtjen e punëtorëve në punë deri në fund të vitit. Tani, bizneset vetëm kanë filluar të largojnë nga puna punëtorët dhe disa biznese kanë filluar edhe të falimentojnë si pasojë e pengesave dhe mospërkrahjes nga shteti në këtë drejtim”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, për periudhën mars –gusht të këtij viti, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, mbi një miliard euro ka pasur më pak qarkullim sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Qeveria nuk kushtëzon bizneset me mbajtje në punë të punëtorëve

Qeveria e Kosovës ka paraparë që kjo ndihmë të shkojë për bizneset duke subvencionuar listën e punëtorëve të regjistruar në kompani. Sipas një deklarate dhënë për Radion Evropa e Lirë më 30 shtator, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se kjo ndihmë ka për qëllim të ndihmojë biznesin që të mos largojë punëtorët nga puna.

Por, në Ministrinë e Financave thonë se nuk do të jetë kusht për biznesin marrja e kësaj ndihme me moslargim të punëtorëve nga puna.

Largimi i punëtorëve nga puna po vazhdon pavarësisht ndihmës

Disa biznese private në Kosovë, që nga 13 marsi kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë dhe pas hyrjes në fuqi të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë filluar me largimin e punëtorëve nga puna.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, thotë për Radion Evropa e Lirë se largimi i punëtorëve nga puna pothuajse po ndodh çdo ditë.

“Edhe pse do të jetë një stimulim nga Qeveria e Kosovës për bizneset, ne jemi të bindur që largimi i punëtorëve nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë me këtë trend. Shuma që e marrin këto biznese si ndihmë nga qeveria nuk është e mjaftueshme që ata të mbajnë punëtorët në punë”, thotë ai.

Kosova pa të dhëna të sakta për të larguarit nga puna

Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Sindikata e pavarur e sektorit privat flasin për një numër të madh të punëtorëve të cilët kanë humbur vendin e punës gjatë kësaj kohe.

Skender Krasniqi nga Oda e Afarizmit, thotë se numri i punëtorëve të larguar nga puna që nga fillimi i pandemisë deri më tani është rreth 30 mijë.

“Kjo për shkak se bizneset nuk kanë mundur të mbajnë punëtorët në punë pas humbjeve që kanë pasur nga pandemia me COVID-19”, thotë Krasniqi.

Një numër më të madh të të larguarve nga puna gjatë kësaj kohe të pandemisë e dhënë në Sindikatën e sektorit privat. Jusuf Azemi nga kjo sindikatë, thotë se deri më tani kanë humbur punën 60 mijë qytetarë, kurse deri në fund të vitit, sipas tij, nga puna do të largohen mbi 100 mijë punëtorë.

Këto shifra, Azemi thotë se i bazon nga të dhënat që i kanë marrë nga bizneset dhe punëtorët të cilët kanë njoftuar sindikatën që janë larguar nga puna.

Të dhëna për numrin e punëtorëve që kanë humbur vendin e punës, nuk janë publikuar deri më tani nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila është institucioni i vetëm shtetëror që merret me grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare të statistikave.

Ndryshe, vlera prej 60 milionë euro që ndahen nga buxheti i shtetit për bizneset, do të pjesëtohet me numrin total të të punësuarve të regjistruar për çdo kompani.

Nëse një kompani i ka të punësuar 100 punëtorë, atëherë nëse shuma për punëtorë do të jetë 300 euro, ajo kompani do të marrë 30 mijë euro. Deri më tani, ende nuk dihet se sa mund të jetë kjo shumë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG