Ndërlidhjet

Ndërprerjet e energjisë alarmojnë bizneset


Termocentrali në Obiliq, foto nga arkivi
Termocentrali në Obiliq, foto nga arkivi

Prodhuesit në Kosovë thonë të jenë në hall të madh me ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike. Sipas tyre, këto ndërprerje, po u shkaktojnë jo vetëm telashe në punë dhe prodhim, por edhe humbje të mëdha në bizneset e tyre.

Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se nuk ka besuar që edhe në vitin 2018 do të bisedohet për mungesë të energjisë elektrike.

“Ne kemi një kapacitet të madh të prodhimit dhe makineritë të cilat i përdorim janë të një kapaciteti të madh të cilat kërkojnë energji më të madhe. Ne kemi një gjenerator që është 400 voltë e që ka një harxhim shumë të madh, 30 litra karburant për një orë”.

“Kjo përveç që ka harxhime ka dëmtime të pajisjeve. Kur ndërpritet energjia elektrike në mënyrë të paparashikuar, siç është duke ndodhur, këtyre pajisjeve mund të iu shkaktojë problem. Shumë herë kur kemi ndërprerje të energjisë probleme kemi kryesisht në softuer dhe atëherë duhet të riprogramohen dhe merr kohë të madhe”, thotë Piraj.

Sipas të dhënave të organizatave ekonomike në Kosovë janë rreth 300 milionë euro në vit dëme që po iu shkaktohen prodhuesve nga furnizimi jostabil me energji elektrike.

Piraj tregon se rregullimi i problemeve që shkaktohen nga ndërprerja e energjisë elektrike marrin shumë kohë, gjë që paraqet ndërprerje në prodhim.

“Nga viti 1999 vetëm në gjenerator dhe karburant kemi pasur investime mbi 250 mijë euro. Sikur këto mjete t’i investonim në pajisje dhe në teknologji sot do të kishim 20 punëtorë më shumë sesa që janë aktualisht në kompaninë tonë”, thotë Piraj.

Pasiguria me furnizim me energji elektrike është një nga problemet që po përcjell Kosovën që nga paslufta.

Ndonëse, gjatë viteve të fundit kishte pasur përmirësim të furnizimit me energji elektrike, megjithatë asnjëherë përgjatë 18 viteve të pasluftës, Kosova nuk ka arritur të shkarkohet nga ky problem.

Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) Viktor Buzhala thotë për Radion Evropa e Lirë se janë duke përbë përpjekje që ndërprerjet me energji elektrike të jenë minimale.

“KEDS po bënë maksimumin që të kemi furnizim sa më të mirë me energji elektrike, kemi edhe import, por Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka punuar me kapacitete maksimale, nuk ka punuar në bazë të planifikimit dhe kjo ka sjell vështirësi në furnizim me energji elektrike”, thotë Buzhala.

Në raportet e deritashme të organizatave ndërkombëtare për sistemin energjetik të Kosovës, vlerësohet se “një pengesë e madhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës është furnizimi joadekuat dhe jo i besueshëm me energji elektrike”.

Qeveria e Kosovës tashmë ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, i cili parashikohet të vihet në punë në vitin 2023.

Ndërtimi i Termocentralit me një bllok rreth 500 megavatësh, nga njohës të çështjeve energjetike ishte konsideruar një zhvillim pozitiv, por jo i mjaftueshëm që të arrijë të mbulojë kërkesat me energji elektrike që ka Kosova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG