Ndërlidhjet

NATO-ja zotohet se do ta rrisë praninë në Baltik, pas dyshimeve për sabotim


Zhytësit detarë letonezë dhe finlandezë marrin pjesë në një stërvitje të NATO-s të fokusuar në zbulimin e sabotimeve. (Fotografi nga arkivi)
Zhytësit detarë letonezë dhe finlandezë marrin pjesë në një stërvitje të NATO-s të fokusuar në zbulimin e sabotimeve. (Fotografi nga arkivi)

NATO-ja ka thënë të premten se do ta rrisë praninë në Detin Baltik, pas dëmtimit të linjave nënujore të internetit dhe kabllove të rrymës në një akt të dyshuar sabotimi, që besohet se u krye nga anije të së ashtuquajturës “flota e errët” e Rusisë.

Estonia njoftoi gjithashtu të premten se e ka nisur një operacion detar për ta mbrojtur një linjë të rëndësishme elektrike në Detin Baltik në koordinim me aleatët.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha në një postim në rrjetet sociale pas një takimi me presidentin finlandez, Alexander Stubb, se "NATO-ja do ta shtojë praninë e saj ushtarake në Detin Baltik."

Si Finlanda ashtu edhe Estonia kanë brigje në Detin Baltik.

Kur u pyetën rreth hollësive për veprimet e planifikuara, zyrtarët e NATO-s i thanë Associated Pressit se aleanca "mbetet syhapur dhe po punon për të ofruar mbështetje të mëtejshme, duke përfshirë rritjen e pranisë sonë ushtarake" në rajon.

"Ne jemi pajtuar me Estoninë dhe gjithashtu i kemi komunikuar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se dëshira jonë është ta kemi një prani më të madhe të NATO-s", tha Stubb në një konferencë për shtyp.

Stubb shtoi se hetuesit nuk duan të nxjerrin përfundime të nxituara, por një ditë më parë ai kishte thënë se "është e nevojshme të jemi në gjendje t’i parandalojmë rreziqet e shkaktuara nga anijet që i përkasin 'flotës së errët' të Rusisë".

"Flota e errët" i referohet anijeve të vjetra dhe të pasiguruara që zakonisht përdoren për t’i anashkaluar sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, si dhe për ta ruajtur një burim të ardhurash.

Qeveritë evropiane dhe Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Rusinë për rritjen e "sulmeve hibride" pas raportimeve për dëmtimin e kabllove të komunikimit në Detin Baltik, megjithëse ende nuk e kanë fajësuar drejtpërdrejt Moskën për dëmet.

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllove të internetit nën Detin Baltik
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:26 0:00

NATO-ja e ka shtuar vëzhgimin e infrastrukturës kritike në Baltik pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në 2022 dhe shkatërrimit të tubacionit të gazit natyror Nord Stream shtatë muaj më vonë.

Anije të lidhura me Kinën gjithashtu janë dyshuar për sabotimin e infrastrukturës nënujore gjatë viteve të fundit.

Suedia - anëtarja më e re e NATO-s, e cila gjithashtu ka një vijë bregdetare në Detin Baltik - tha se roja e saj bregdetare ka rritur mbikëqyrjen e trafikut detar dhe ka vendosur avionë dhe anije në bashkëpunim me aleatët rajonalë.

Komisioni Evropian tha më 26 dhjetor se një anije mallrash e dyshuar për dëmtimin e qëllimshëm të kabllove të energjisë dhe internetit në Detin Baltik ishte pjesë e "flotës së errët" të Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG