Ndërlidhjet

Samiti i NATO-s: Lëvdata për Trumpin, tensione për Nenin 5 dhe injorim i Ukrainës


Liderët e NATO-s ranë dakord për një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtjen në samitin e 25 qershorit në Hagë, duke i dhënë një fitore të madhe presidentit amerikan, Donald Trump, ndërsa njëkohësisht ripohuan “angazhimin e hekurt” për t’iu dalë në ndihmë njëri-tjetrit në rast sulmi.

Këto janë pikat kryesore të takimit të mbajtur në Hagë të Holandës:

Lëvdata për Trumpin

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kishte një detyrë kryesore në samitin e tij të parë, që u mbajt në qytetin e tij të lindjes, Hagë: të sigurohej që Trump të ishte i kënaqur dhe të shmangte një situatë si ajo e vitit 2018 në Bruksel, kur ai pothuajse e nxori SHBA-në nga aleanca.

Rutte duket se e mori shumë seriozisht këtë detyrë. Para samitit, Trump ndau në rrjetet sociale një mesazh privat të dërguar nga Rutte, ku kreu i NATO-s e falënderonte për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga evropianët dhe për sulmet e tij “të jashtëzakonshme” ndaj Iranit.

Kur u pyet nga gazetarët për këtë, Rutte nuk u tërhoq, përkundrazi, vazhdoi me lëvdata duke e quajtur Trumpin “daddy” (babai) gjatë deklaratës së përbashkët për mediat dhe e vlerësoi sërish në nisje të sesionit të punës së samitit.

“Lidershipi juaj ka sjellë tashmë 1 trilion dollarë më shumë në shpenzime nga aleatët evropianë që nga viti 2016”, i tha ai Trumpit. “Dhe vendimet e sotme do të sjellin triliona të tjerë për mbrojtjen tonë të përbashkët”.

Presidenti amerikan u duk i kënaqur, duke postuar me entuziazëm për darkën e samitit të organizuar nga mbreti dhe mbretëresha e Holandës.

Lëvdatat funksionuan: deklarata përfundimtare e samitit u miratua pa asnjë incident dhe përfshinte gjuhë të ashpër kundër Rusisë, e cilësuar si “kërcënim afatgjatë” për sigurinë euroatlantike, si dhe ripohim të fortë për Nenin 5 – klauzolën e mbrojtjes së përbashkët të NATO-s.

Ende dyshime për Nenin 5?

Shtylla kryesore e NATO-s është Neni 5, që thotë se sulmi ndaj njërit prej 32 aleatëve konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

Megjithëse zyrtarët amerikanë siguruan para samitit se SHBA mbetet plotësisht e angazhuar për këtë nen, Trump ngreu dyshime këto garanci duke deklaruar para nisjes për në Hagë se “ka shumë përkufizime të Nenit 5”.

Kjo shkaktoi shqetësim serioz te diplomatët evropianë. Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, disa prej tyre, në kushte anonimiteti, theksuan se ekziston vetëm një përkufizim i Nenit 5, por se mund të ketë interpretime të ndryshme mbi llojin e ndihmës që duhet ofruar në rast të një sulmi ndaj një aleati.

Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë në historinë 76-vjeçare të NATO-s – nga SHBA-ja pas sulmeve të 11 shtatorit, që çuan në luftën në Afganistan (edhe pse jo të gjithë aleatët dërguan trupa atje).

Në fund, Trump e zbuti deklaratën e tij, duke thënë në konferencën me Rutten se “ne jemi me ta deri në fund”, duke iu referuar partnerëve të NATO-s.

Pesë për qind për mbrojtjen – Objektiv real apo jo?

Vendimi kryesor nga samiti i Hagës ishte që 32 aleatët të angazhohen që deri në vitin 2035 të shpenzojnë 5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për mbrojtje.

Nga kjo, 3.5 përqind duhet të shkojë për shpenzime thelbësore ushtarake dhe 1.5 përqind për fusha të tjera si infrastruktura kritike, gatishmëria civile dhe ndihma për Ukrainën.

Pyetja është: a do ta arrijnë vërtet këtë? Në deklaratën përfundimtare përmendet një rishikim në vitin 2029 – kur Trump nuk do të jetë më në Shtëpinë e Bardhë.

Disa aleatë, si Spanja, e kritikuan këtë objektiv si jorealist. Për t’i qetësuar, është përdorur një manovër gjuhësore: në vend që të thuhet se anëtarët “angazhohen të investojnë 5 për qind”, është zgjedhur formulimi “aleatët angazhohen të investojnë 5 për qind”. Ky ndryshim i vogël duket se u jep hapësirë interpretimeve të ndryshme.

A është kjo një formë përjashtimi për Spanjën? Ndoshta jo – por mbetet për t’u parë. Megjithatë, mos u çuditni nëse kjo “Deklaratë e Hagës” përfundon si premtimi i samitit të Uellsit në 2014, ku objektivi ishte 2 për qind i Bruto Prodhimit të Brendshëm – deri në vitin 2024 – dhe disa shtete ende nuk e kanë përmbushur këtë synim.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO – Qartësisht jashtë tryezës

Samitet e NATO-s në Vilnius (2023) dhe në Uashington (2024) kishin në fokus gjetjen e mënyrave për ta afruar Ukrainën me NATO-n – pa i dhënë një ftesë formale për anëtarësim.

Flitej për “ura drejt anëtarësimit” dhe se rruga e Ukrainës drejt aleancës ishte “e pakthyeshme”. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishte figura më e kërkuar në ato samite, duke kërkuar më shumë ndihmë ushtarake dhe diplomatike.

Por, sa ndryshim bën një vit. Që në fillim të mandatit të tij, Trump e bëri të qartë se Ukraina nuk do të bashkohej me NATO-n së shpejti – dhe kjo çështje thjesht u zhduk nga agjenda.

Në Hagë nuk pati as mbledhje të Këshillit NATO-Ukrainë. Zelensky u detyrua të kënaqej me pjesëmarrjen në disa ngjarje dytësore dhe në darkën zyrtare të samitit me bashkëshortët e liderëve.

Në deklaratën përfundimtare – më e shkurtra në historinë e samiteve të NATO-s – nuk kishte asnjë referencë për anëtarësimin e Ukrainës. E vetmja përmendje ishte një fjali që thoshte:

“Aleatët ripohuan angazhimet e tyre sovrane për të mbështetur Ukrainën, siguria e së cilës kontribuon në sigurinë tonë. Në këtë kuadër, kontributet direkte ndaj mbrojtjes së Ukrainës dhe industrisë së saj të mbrojtjes do të përfshihen në llogaritjen e shpenzimeve të aleatëve për mbrojtje”.

Ishte tregues fakti që kur Zelensky doli para gazetarëve me Rutten dhe liderët e BE-së, Antonio Costa dhe Ursula von der Leyen, nuk u përmend asnjëherë fjala “anëtarësim”.

Edhe një herë, NATO-ja është kthyer sërish te mbrojtja kolektive – jo te zgjerimi me anëtarë të rinj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG