Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se sulmi i së martës në Poloni me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, por shtoi se Rusia mbetet fajtore pasi ajo e nisi luftën.
Ai tha se po vazhdojnë hetimet për këtë shpërthim dhe se duhet të priten rezultatet e tyre, porse “analizat tona preliminare sugjerojnë se incidenti me gjasë u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës që u lëshua për ta mbrojtur territorin ukrainas ndaj sulmeve ruse".
Këto deklarata ai i bëri në konferencën për shtyp pas takimit urgjent të vendeve anëtare të mërkurën, në Bruksel, pasi dy persona u vranë në Poloni nga një raketë që Varshava tha se ishte e prodhuar nga Rusia.
“Ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia e mban përgjegjësinë përfundimtare pasi që po e vazhdon luftën e saj të jashtëligjshme kundër Ukrainës”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg, gjithashtu, shtoi se nuk ka indikacione që Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s dhe se ata duhet të rrinë “vigjilentë, të qetë dhe të koordinuar ngushtë”, pasi që “lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja për territorin e NATO-s”.
Mbledhja e ambasadorëve të NATO-s në Bruksel u thirr me kërkesë të Polonisë, anëtare e aleancës dhe u kryesua nga sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili më pas mbajti një konferencë shtypi.
Gjetjet preliminare u bënë publike pasi presidenti amerikan, Joe Biden, duke u bazuar në informacione për trajektoren e raketës, tha të mërkurën se nuk ka shumë gjasa që Rusia ta ketë lëshuar atë raketë para se të shtonte se “unë do të sigurohem që të gjejmë saktësisht çfarë ndodhi”.
Ndërkohë, Polonia la të kuptohet se nuk do ta aktivizojë Nenin 4 të Traktatit të NATO-s, që do të niste konsultime mes aleatëve shkaku i kërcënimeve për siguri, pasi që shpërthimi besohet të jetë shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore në Ukrainë e jo nga Rusia.
“Nga informatat që ne dhe aleatët i kemi, ishte një raketë S-300 e ndërtuar në Bashkimin Sovjetik, një raketë e vjetër, dhe nuk ka asnjë dëshmi që ajo u lëshua nga ana ruse”, tha presidenti i Polonisë, Andrzej Duda. “Ka shumë gjasa që të jetë lëshuar nga mbrojtja ajrore ukrainase”.
Incidenti ndodhi gjatë asaj që Kievi e quajti valën më intensive të sulmeve ruse me raketa në qytete ukrainase që nga fillimi i luftës në shkurt.
Ukraina tha se i rrëzoi shumicën e raketave ruse përmes raketa të veta të mbrojtjes ajrore. Rajoni Volyn i Ukrainës, afër kufirit me Poloninë, ishte njëri nga të shumtit që ishte cak i sulmeve ruse, sipas Ukrainës.
Rusia ka thënë se raketat e saj nuk goditën territorin e Polonisë, duke thënë se lajmet e tilla janë “provokim i qëllimshëm” për ta përshkallëzuar situatën.