Ndërlidhjet

Naftëtarët kërcënojnë me mbyllje nëse nuk u plotësohen kërkesat


Ilustrim.
Ilustrim.

Naftëtarët kanë kërcënuar me mbyllje të pikave të karburanteve nëse Qeveria e Kosovës nuk plotëson kërkesat e saj.

Kështu u bë e ditur pas një takimi të përfaqësuesve të naftëtarëve më 9 qershor, pasi një ditë më parë Qeveria paralajmëroi se do të nxjerrë akte nënligjore për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.

Çmimet e naftës janë rritur së fundmi në Kosovë dhe më 9 qershor, një litër naftë u shit për mbi 1.80 euro.

Naftëtarët po kërkojnë që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.

“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 centë, apo 12 centë më shumë sesa para krizës globale për litër”, u tha në shkresën që naftëtarët i kanë dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrave të fushës së ekonomisë dhe financave.

Sipas naftëtarëve, nëse Qeveria dëshiron të mbrojë konsumatorët, duhet të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën, sikurse, siç thanë, kanë bërë vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

“Industria e naftës për shkak të inflacionit të përgjithshëm vetëm se është duke u ballafaquar me rritje enorme të kostove, qoftë të pagave, normave të interesit, shpenzimeve të mirëmbajtjes etj. Kjo e kombinuar me kufizim të marzhës së fitimit do të ketë efekt shkatërrues për kompanitë e naftës”, thanë naftëtarët.

Qytetarët në Kosovë po përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazë, teksa sipas të dhënave zyrtare, inflacioni ka qenë 11.2 për qind në muajin prill.

Naftëtarët thanë se për të rrezikonin që të falimentonin nëse aplikohet një marzhë e ngjashme për fitim, siç kishte vendosur për periudhën 3 mars-31 maj.

Ky vendim thoshte se te shitësit me shumicë, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG