Ndërlidhjet

Mungesë harmonizimi në mes të shkollave profesionale dhe tregut të punës


Ilustrim
Ilustrim

Çdo vit, mijëra të rinj që diplomojnë në drejtime të ndryshme në shkollat e mesme të larta profesionale në Kosovë, përfundojnë të papunë.

Përgatitja e pamjaftueshme teorike dhe praktike, krahas mospërshtatjes së drejtimit me kërkesat e tregut, cilësohen prej arsyeve kryesore të mosdepërtimit të të diplomuarve nga këto shkolla në tregun e punës.

Këtë vit, numri i maturantëve në 66 shkollat profesionale në gjithë Kosovën, është mbi 14 mijë e 800 veta. Ata janë të ndarë në shtatë fusha të ndryshme me 151 profile. Ndërsa numri i tyre është për katër për qind më i lartë sesa i maturantëve në gjimnaze.

Video nga arkivi: Të diplomuar, por të papunë

Të diplomuarit nga këto shkolla profesionale, sipas njohësit të çështjeve të arsimit Halim Hyseni, nuk janë mjaftueshëm të përgatitur për tregun e punës, as në anën teorike e as atë praktike.

Kjo sipas tij, është për shkak se arsimi profesional dual, në Kosovë, aktualisht nuk është mjaftueshëm efikas. Hyseni ka identifikuar katër arsye, për arsimimin dhe aftësimin profesional të pamjaftueshëm të nxënësve dhe mungesën e lidhjes me tregun.

“Në Kosovë nuk ekziston një hartë optimale e shkollave profesionale, që është në përputhje me nevojat e tregut të Kosovës. Sepse kemi shumë shkolla, lloje të ndryshme të shkollave, për të cilat tregu nuk ka (nevojë) dhe të cilat kanë numër tepër të vogël të shkollave, dhe mbajtja e të cilave është tepër e shtrenjtë. Do të thotë mungon harta e shkollave profesionale, pa të cilën, ato nuk mund të realizojnë përgatitjen e nxënësve në përputhje me kërkesat e tregut”, thotë Hyseni, teksa shpjegon arsyen e parë.

Dy arsye tjera që përmend ai janë: mosharmonizimi i kurrikulave me profesionet dhe profilet arsimore, si dhe moskryerja e praktikës sipas nevojave dhe standardeve. Ndërsa rëndësi të veçantë i jep edhe mungesës së teksteve shkollore për drejtime të caktuara.

“Asnjë profil arsimor, për asnjë lëndë profesionale, asnjë lëndë të ngushtë profesionale nuk ka tekste mësimore, veprohet sikurse në mesjetë, përmes diktimeve të mësimdhënësve. Nxënësit tanë nuk mund të aftësohen për profesione përmes diktimeve të cilat arsimtarët i bëjnë brenda 45 minutave”, thekson ai.

Hyseni thotë se institucionet arsimore duhet të lidhen me ndërmarrjet publike e private, në mënyrë që t’u ofrojnë nxënësve kushtet e munguara në shkolla dhe mundësojnë atyre aftësimin praktik profesional.

Në Ministrinë e Arsimit thonë se Qeveria e Kosovës çdo vit bën marrëveshje me biznese për t’u mundësuar të rinjve në këto shkolla arsimimin dhe aftësimin e duhur.

Megjithatë, Veton Alihajdari nga Divizioni për Arsim Profesional në këtë ministri, shton se është përgjegjësi e komunave dhe e shkollave që të gjejnë partnerë bashkëpunimi. Ndërsa shton se Ministria merr raporte vjetore, nga niveli lokal, për nevojat e tregut dhe drejtimeve në shkollat profesionale.

“Tregun e cakton oferta dhe kërkesa dhe është në përgjegjësitë e nivelit komunal, përkatësisht shkollave, është të bëjnë analizë të hulumtimit të nevojave të shkathtësive në nivel lokal, bashkë me këshillat për aftësim profesional në nivel lokal, dhe në bazë të nevojave e bëjnë planifikimin në të ardhmen, dhe në bazë të kësaj ata bëjnë çdo vit kërkesat në MASHT për hapjen ose mbylljen e profileve të ndryshme, duke u bazuar në nevojat e tregut,” tregon Alihajdari.

Ai thotë se klasat e dhjeta kanë gjashtë orë në javë praktikë profesionale, të njëmbëdhjetat – nëntë orë dhe maturantët dymbëdhjetë orë në javë, praktikë profesionale, më qëllim të përgatitjes më të madhe.

Por, Alihajdari pranon se në disa drejtime praktika nuk mund të kryhet në shkolla, për shkak se mjetet janë të kushtueshme. Për këtë, ai fajin e hedhë edhe te formula e financimit, e cila sipas tij, i barazon gjimnazet me shkollat profesionale.

“E dimë që edhe profilet përbrenda shkollës duhet të kenë diferencë në formulën e financimit, kur nëse marrim një profil të mekatronikës apo aparaturë të prodhimit, ku një makinë ka vlerë disa milionëshe me një profil të ekonomisë, banka dhe financa ose tregtar i shitjes me pakicë, ku duhet vetëm një kompjuter dhe printer, do të thotë e bën një dallim shumë të madh te mallrat dhe shërbimet dhe investimet kapitale”, shpjegon zyrtari i MASHT-it.

Megjithatë, ai insiston se shkollat, vazhdimisht, janë duke u pajisur me mjete të nevojshme qoftë nga ministria apo edhe partnerët e ndryshëm.

Alihajdari thotë se në mandatin e Ministrisë së Arsimit është vetëm arsimimi dhe aftësimi i nxënësve, ndërsa punësimi është jashtë fushëveprimit të saj.

Megjithëkëtë, ai shton se në qershor të vitit të kaluar ka nisur një hulumtim me maturantë nga 14 shkolla profesionale dhe në fillim të këtij viti do të publikohen rezultatet nga përgjigjet kthyese të të diplomuarve, të regjistruara në nëntor të vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG