Ndërlidhjet

Tatëpjeta e hetimeve mbi dëbimin e shtetasve turq


Disa nxënës të kolegjit “Mehmet Akif” protestojnë kundër deportimit të mësuesve të tyre nga Kosova për në Turqi. Prishtinë, 29 mars, 2018.
Disa nxënës të kolegjit “Mehmet Akif” protestojnë kundër deportimit të mësuesve të tyre nga Kosova për në Turqi. Prishtinë, 29 mars, 2018.

Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po heton rrethanat e dëbimit të gjashtë shtetaseve turq nga Kosova për në Turqi, nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore, ashtu siç pretendon presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, thonë udhëheqës të këtij Komisioni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javën e kaluar është paraqitur para këtij Komisioni për t’u intervistuar dhe ofruar dëshminë e tij lidhur me dëbimin e shtetasve turq, por ai nuk e ofroi këtë dëshmi, duke thënë se Komisioni kishte bërë shkelje të mëdha ligjore në punën e tij.

Sipas Thaçit, shkeljet më të mëdha janë bërë me angazhimin e një eksperti ndërkombëtar për përpilimin e një raporti final në lidhje me këtë rast. Në vend të ofrimit të dëshmisë, Thaçi kërkoi që deputetët e Komisionit të hetohen në lidhje me atë që ai e cilësoi si shkelje të ligjit.

Por, zëvendëskryetari i parë i këtij Komisioni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se pretendimet e presidentit Thaçi për shkelje ligjore janë alibi për të mos dëshmuar. Sipas tij, Komisioni dhe zgjedhja e ekspertit ndërkombëtar është realizuar sipas procedurës së zyrës ligjore të Kuvendit të Kosovës.

“Komisioni Hetimor Parlamentar krejt procedurat e përzgjedhjes së ekspertit ndërkombëtar i ka realizuar në koordinim të ngushtë me administratën e Kuvendit dhe zyrën ligjore. Që i bie se zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës ka përgatitur termat e referencës, ka përgatitur kontratën dhe më pas sekretaria e Kuvendit ka bërë pagesën për këtë ekspertë. Kështu që gjithçka është konform ligjit”, tha Selmanaj.

Më 29 mars 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën deklaruar se nuk kishin qenë fare të informacione lidhur me rastin.

Andaj, ishte shtruar edhe nevoja e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar që të vinte deri te një konkluzion.

Por, edhe brenda Komisionit vërehen mospajtime të mëdha. Deputeti Hajdar Beqa, anëtar i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ka pasur shkelje procedurale nga kryetari (Xhelal Sveçla) dhe nënkryetari i këtij Komisioni (Driton Selmanaj).

Megjithatë, Beqa, thotë se nuk ka informacione se nga kush është nënshkruar kontrata me ekspertin nga jashtë dhe nga kush është paguar.

“Nuk e di për këto çështje, nuk është kompetencë e imja. Unë nuk kam lëshuar kontrata dhe nuk jam i informuar për këtë çështje. Neve na është propozuar prej kryetarit të komisionit i cili ka marrë propozimin nga Sami Kurteshi. Dhe ne nuk kemi paragjykuar a është i njëanshëm (eksperti)”, tha Beqa.

*Video nga arkivi: Kë duhet mbajtur përgjegjës për dëbimin e gjashtë shtetasve turq?

Kë duhet mbajtur përgjegjës për dëbimin e gjashtë shtetasve turq?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Ndryshe, sipas Ligjit për hetim parlamentar, Komisioni ka të drejtë të kërkojë ekspertizën e ekspertëve të pavarur gjatë kryerjes së detyrës. Ekspertët propozohen dhe caktohen nga ana e Komisionit. Ata, sipas ligjit, japin ekspertizën e tyre duke u bazuar në parimin e profesionalizimit dhe paanësisë. Mjetet financiare për këtë ekspertizë sigurohen nga Kuvendi.

Pavarësisht paqartësive, deputeti Driton Selmanaj thotë se Komisioni do ta vazhdojë punën. Në fund të kësaj jave, thotë ai, do të ri-intervistohen ish- shefi i Agjencisë se Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi dhe ish–shefi i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, aktualisht shef i AKI-së.

Më pas, nënvizon ai, do të përgatitet draft-raporti që do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës, ku ai nuk mund ta parashikojë se si do të votohet, duke shprehur rezerva sidomos ndaj partisë më të madhe në pushtet, PDK-së.

“Adresa kryesore për këtë çështje, akoma jemi të bindur 100 për qind për këtë, është Zyra e Presidentit. Pra, PDK-ja nuk besoj se do të jetë e gatshme të votojë. Por, besojmë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Nisma Socialdemokrate, Partia Socialdemokrate (PSD), si parti që nuk kanë qenë të involvuara në këtë proces, në kuptimin e këtij operacioni, do të votojnë. Sepse të gjeturat janë të qarta sa që është problem mos të votojnë”, tha Selmanaj.

Kurse Hajdar Beqa nga PDK-ja, thotë se do të votojnë raportin të cilin e krijon komisioni dhe jo ndonjë raport të partive politike.

“Ne do të votojmë raportin të cilin e krijon komisioni, jo raportin e byrove politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Raportin duhet të bëjnë anëtaret e Komisionit të cilët kemi marrë mandat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ne ende nuk e kemi krijuar raportin. Në momentin që e krijojmë raportin edhe votojmë”, tha Beqa.

Komisioni Hetimor Parlamentar është funksionalizuar në korrik të vitit të kaluar, për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Ky komision deri më tani ka evidentuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit të shtetasve turq. Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, janë bërë nga dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG