Ndërlidhjet

Moska akuzon sabotatorët ukrainas për shpërthimet në bazën ruse në Krime


Pamje nga tymi që ngrihet pas një shpërthimi në fshatin Mayskoye në rrethin Dzhankoi, Krime, 16 gusht 2022.
Pamje nga tymi që ngrihet pas një shpërthimi në fshatin Mayskoye në rrethin Dzhankoi, Krime, 16 gusht 2022.

Moska fajësoi më 16 gusht sabotatorët për një sërë shpërthimesh në një depo municionesh në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, duke pranuar se ekzistojnë grupe të armatosura besnike ndaj Ukrainës, që po dëmtojnë logjistikën ushtarake dhe linjat e furnizimit në territoret që ajo kontrollon.

Incidenti i sotëm pason një sërë shpërthimesh javën e kaluar në bazën ajrore të Rusisë në Krime, për të cilat Kievi tha se ishin kryer nga forca speciale ukrainase, por që Moska në atë kohë i quajti rezultat i një zjarri aksidental.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se nuk pati viktima nga shpërthimet që dëmtuan linjat elektrike, një nën-stacion elektrik, infrastrukturën hekurudhore dhe disa shtëpi banimi.

Nuk dihet se çfarë mjeti u përdor për të kryer shpërthimet, por shtypi shtetëror rus spekuloi se mund të jenë përdorur dronë.

Shpërthimet sjellin në pah perspektivën e një dinamike të re në luftën gjashtëmujore pasi tashmë duket se Ukraina ka aftësinë për të goditur më thellë në territorin rus dhe me grupet pro-Kievit që janë duke pasur sukses me sulme të stilit gueril.

Rusia e ka përdorur Krimenë, të cilën e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014-të, për të përforcuar trupat e saj që luftojnë në pjesë të tjera të Ukrainës me pajisje ushtarake, një proces që Kievi kërkon ta prishë përpara një kundërsulmimi të mundshëm në Ukrainën jugore.

Krimea është baza e flotës ruse të Detit të Zi dhe gjithashtu e njohur si një atraksion turistik për pushuesit gjatë verës.

Për incidentin e së martës, agjencia ruse e lajmeve RIA tha se shtatë trena u vonuan dhe se trafiku hekurudhor në një pjesë të linjës në veri të Krimesë ishte pezulluar.

Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar zyrtarisht përgjegjësinë për shpërthimet në Krime, megjithëse zyrtarët e saj kanë përgëzuar hapur incidentet në territorin që, deri javën e kaluar, dukej i sigurt nën kontrollin e Moskës përtej rrezes së sulmeve ukrainase.

Pas shpërthimeve të së martës, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak dhe shefi i stafit Andriy Yermak postuan në mediat sociale mbi "çmilitarizimin", një referencë e dukshme tallëse e termit që përdor Rusia për të justifikuar pushtimin e saj.

"Operacioni 'demilitarizimi' në stilin e saktë të Forcave të Armatosura të Ukrainës do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të territoreve të Ukrainës," shkroi Yermak në Telegram.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se shpërthimet në depon e municioneve ishin "rezultat i sabotimit".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG