Zyrtarë të lartë ukrainas, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, Denys Monastyrskiy, ishin shumë pranë vendit ku ndodhën granatimet, gjatë një vizite të tyre në frontin e luftës, ku forcat qeveritare po luftojnë me separatistët në lindje të Ukrainës.
Zyrtarët arritën që të strehoheshin para se granatimet të godisnin zonën. Një gazetar i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, që përcolli vizitën e zyrtarëve, tha se granatat ranë 300 metra nga lokacioni ku gjendeshin zyrtarët dhe gazetarët.
Më herët gjatë ditës, liderët e separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës kanë urdhëruar mobilizimin e plotë ushtarak, teksa është rritur frika për pushtimin e Ukrainës.
Denis Pushilin dhe Leonid Pasechnik, liderët e rajoneve të okupuara të Donetskut dhe Luhanskut, kanë lëshuar deklarata të ndara më 19 shkurt, përmes së cilave kanë njoftuar për mobilizimin e plotë të trupave dhe u kanë bërë thirrje rezervistëve që të shkojnë në zyrat ushtarake dhe të lajmërohen se janë të gatshëm.
Kjo lëvizje vjen në kohën e rritjes së dhunës në ditët e fundit përgjatë linjës së kontaktit ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve në rajon, gjë që ka rritur frikën në Perëndim se Moska mund ta përdorë këtë dhunë si pretekst për ta sulmuar Ukrainën.
Ushtria ukrainase tha se nga granatimet më 19 shkurt janë vrarë dy ushtarë në pjesën e Donetskut që kontrollohet nga forcat qeveritare dhe se forcat separatiste kishin vendosur artileri në zonat e banuara, duke tentuar që të provokojnë forcat qeveritare.
"Si rezultat i sulmeve me granata, dy ushtarë ukrainas janë vrarë", tha ushtria.
Kanë qenë pothuajse 600 shkelje të armëpushimit në lindje të Ukrainës në 24 orët e fundit, përfshirë 300 shpërthime, tha ekipi monitorues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më 18 shkurt.
Disa shpërthime janë dëgjuar edhe mëngjesin e 19 shkurtit në pjesën veriore të Donetskut.
Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatime, teksa separatistët në Donetsk kanë thënë se dhjetëra granata janë hedhur në territorin e tyre, ndërkaq pala ukrainase ka raportuar për 19 shkelje të armëpushimit nga separatistët.
Mediat ruse kanë raportuar se 10,000 persona janë evakuuar nga lindja e Ukrainës dhe kanë arritur në Rusi.
Separatistët kanë njoftuar për planet për evakuimin e 700,000 persona për në juglindje të Rusisë, duke thënë se evakuimi do të bëhet nga frika e ndonjë sulmi të forcave ukrainase, akuza që Kievi i hedhë poshtë.
Liderët rebelë thanë se gratë, fëmijët dhe të moshuarit do të jenë të parët që do të largohen për në Rusi, që kanë thënë se është pajtuar që të strehojë këta persona.
Rusia u ka dhënë pasaporta dhjetëra-mijëra qytetarëve në lindje të Ukrainës, një lëvizje që është dënuar nga Perëndimi. Rusia mund të tentojë që ta justifikojë pushtimin e Ukrainës me pretekstin se po mbron “qytetarët” e saj në lindje të Ukrainës, kanë thënë zyrtarët perëndimorë.
Rusia ka mohuar se ka plane për ta pushtuar Ukrainën dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “histeri”.
Kremlini ka grumbulluar mbi 150,000 trupa në kufirin me Ukrainën dhe ka kërkuar nga Perëndimi që të pajtohet me një listë të kërkesave të sigurisë, përfshirë edhe që Ukrainës t’i mohohet anëtarësimi në NATO.
Perëndimi ka refuzuar kërkesën kryesore të Rusisë, që është ndalja e zgjerimit të NATO-s dhe tërheqja nga Evropa Lindore dhe Qendrore, duke thënë se shtetet sovrane kanë të drejtë të zgjedhin vetë aleancat e tyre.
Megjithatë, SHBA-ja dhe Evropa kanë thënë se janë të gatshme të negociojnë për kërkesat e tjera të prezantuara nga Rusia, përfshirë edhe kufizimet mbi dislokimin e raketave dhe stërvitjeve ushtarake.