Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka reaguar përmes një komunikate per media ndaj kërkesave për largim nga Forca e Sigurisë së Kosovës, të disa pjesëtarëve të komunitetit serb.
“Sipas vlerësimeve të MFSK, këto kërkesa për largim vijnë si pasojë e sulmeve të qëllimshme që i janë bërë FSK-së, përkatësisht pjesëtarëve të komunitetit serb dhe janë tentim për të dëmtuar arritjet dhe zhvillimin e FSK-së si dhe imazhin e saj si institucioni më i besueshëm në vend për vite me radhë”.
“Ne ndjejmë keqardhje për pjesëtarët tanë të cilët nuk janë lejuar të vendosin lirshëm për vazhdimin e karrierës profesionale, të ardhmes së tyre, duke ndikuar negativisht direkt në mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre”, thuhet në komunikatën e lëshuar.
Berisha shton se pjesëtarët e FSK-së nga komuniteti serb kanë qenë shumë mirë të integruar në nivel të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, prandaj shantazhet dhe kërcënimet e bëra janë të papranueshme dhe sipas tij, janë shkelje e të drejtave themelore të njeriut.
Në komunikatë thuhet se kjo dukuri nuk do të ndalë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.
Forca e Sigurisë së Kosovës, aktualisht ka 103 pjesëtarë nga komuniteti serb ose 5 për qind nga numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të kësaj force.
Ky komunitet ishte përballur me sulme dhe presione për largim nga FSK, që sipas ekspertëve është komplikim i dialogut nga ana e Beogradit, që ka arritur në fazën finale.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të premten ka reaguar lidhur me, siç është thënë, presionin që Beogradi po bën ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Është e papranueshme ndërhyrja e tyre, kërcënimi dhe shantazhet, si dhe të gjitha ato veprime që i ndërmarrin ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, pjesëtarëve të FSK-së”, ka thënë Haradinaj.
Lidhur me kërkesën e pjesëtarëve serbë të FSK-së që të lirohen nga kjo forcë, ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie. Nëpërmjet rrjetit social, Twitter, ai ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për “për dorëheqjet e fundit të pjesëtarëve serbë të FSK-së”.
“Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të FSK-së është i papranueshëm. Diversiteti i FSK-së është një model për vendin. Ai duhet të kremtohet, e jo të shkatërrohet”, ka shkruar Delawie në Twitter.
Në anën tjetër, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka thënë të premten për mediat serbe se shteti i Serbisë, duke u bazuar në ligje, po e kundërshton formimin e, siç e ka quajtur ai, “një ushtrie të huaj” në Kosovë. Reagimet nga Prishtina zyrtare, ai i ka cilësuar si reagime nervoze.