Ndërlidhjet

Mike Johnson rizgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve


Mike Johnson
Mike Johnson

Mike Johnson është rizgjedhur kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të premten pas një votimi të gjatë, i cili vuri në pah ndasitë në mesin e republikanëve të presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Fillimisht u duk sikur Johnson nuk e kishte shumicën e votave të nevojshme për ta mbajtur postin, megjithatë dy kundërshtarë republikanë e ndryshuan votën e tyre për ta mbështetur atë pas bisedimeve që zgjatën më shumë se gjysmë ore.

Ai u rizgjodh me 218 vota për – pra me numrin minimal të votave të nevojshme.

Republikanët e kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një shumicë të ngushtë prej 219-215.

Ky votim është sprovë e hershme e aftësive të republikanëve për të qenë të bashkuar për ta çuar përpara agjendën e Trumpit për uljen e tatimeve dhe përforcimin e kufirit. Votimi e testoi gjithashtu edhe ndikimin e Trumpit ndaj Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, ku disa republikanë kanë treguar tashmë gatishmëri për ta shpërfillur atë.

Dhoma e Përfaqësuesve është goditur nga ndasitë e brendshme gjatë dy vjetëve të fundit. Johnson e mori pozitën e kryetarit pasi partia e rrëzoi paraardhësin e tij, Kevin McCarthy, midis mandatit të tij.

Johnson i kishte zemëruar disa konservatorë në mesin e republikanëve duke kërkuar ndihmën e demokratëve për të siguruar votat e nevojshme për kalimin e legjislacioneve vendimtare, siç është projektligji për buxhetin, për ta parandaluar mbylljen e Qeverisë.

Republikanët e kanë kontrollin edhe në Senat, 53-47, ndërsa senatori John Thune do të jetë lideri i tyre i ri.

Me betimin e zotit Trump në 20 janar, republikanët do kenë kontrollin e të tri degëve të qeverisjes në dy dhomat e Kongresit dhe në Shtëpinë e Bardhë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG