Ndërlidhjet

Mësuesja që “amëlson” Shkodrën


Zamira Faslija.
Zamira Faslija.

Zamira Faslija, tash e 17 vjet, është mësuese e ciklit të ulët fillor në Shkodër, por, viteve të fundit, është bërë e njohur për përgatitjen e ëmbëlsirave tradicionale.

Haxhimakullja, tespixhja dhe kadaifi me kajmak janë specialitete të saj, pasi është rritur duke parë gjyshen dhe nënën e saj duke i gatuar dhe ka mësuar prej tyre.

Duke qenë ëmbëlsira tradicionale, ato i kërkojnë të gjithë shkodranët, por jo vetëm. I kërkojnë edhe familjet shkodrane që jetojnë në zona të tjera në Shqipëri dhe i porosisin për të afërm të tyre në Evropë, SHBA e Kanada.

Pasionin që kishte që në fëmijëri, ia ringjalli koha e pandemisë COVID-19.

“Para pandemisë i përgatisja këto ëmbëlsira për familjen, të afërm dhe rrethin e ngushtë shoqëror. Gjatë pandemisë, kur u shkëputa nga mësimdhënia, nuk doja të rrija duarkryq. Ideja që më erdhi, ishte të ushtroja pasionin tim për ëmbëlsirat”, tregon Zamira.

Një sërë ushqimesh të përgatitura nga nxënësit e Zamira Faslija.
Një sërë ushqimesh të përgatitura nga nxënësit e Zamira Faslija.

“Duke qenë e mbyllur në shtëpi, kisha kohë mjaftueshëm ta konceptoja idenë time për ta rikthyer shijen tradicionale të ëmbëlsirave shkodrane, por sigurisht edhe për ta provuar veten tek ato lloje që janë më bashkëkohore. Pra, të mos mungonte asgjë në varësi të porosive që mund t’i kisha”, thotë 55-vjeçarja për Radion Evropa e Lirë.

Me kalimin e kohës mendoi që ta reklamonte online punën e saj, duke i lënë emrin “Amël qofsh”.

“Ma sugjeroi një mike e imja, pasi kjo shprehje në gegërisht përdoret nga ne sa herë që dikush na jep një ëmbëlsirë”, tregon Zamira.

Ëmbëlsira e quajtur haxhimakulle e përgatitur nga Zamira.
Ëmbëlsira e quajtur haxhimakulle e përgatitur nga Zamira.

Sekreti i ëmbëlsirave të Zamirës

Haxhimakullja, tespixhja dhe kadaifi me kajmak përgatiten thuajse në çdo pastiçeri, por një pjesë e mirë e shkodranëve i preferojnë nga duart e Zamirës.

Sekreti është te shija origjinale dhe mospërdorimi i fryrësve.

“Njerëzit duan shijen me të cilën janë mësuar që fëmijë. Shumë thonë se nuk i gjejnë më të gatuara si nga duart e gjysheve të tyre dhe kërkojnë derisa e gjejnë këtë shije. Janë ëmbëlsira delikate, duan produkte të freskëta. Unë përdor gjalpin, vezët, qumështin e freskët dhe, sigurisht, sekreti është te raporti i bashkimit të këtyre përbërësve dhe koha që i kushtoj përgatitjes së një ëmbëlsire. Unë nuk përdor pluhur fryrës”, thotë Zamira.

Kadaifi me kajmak i përgatitur nga Zamira Faslija.
Kadaifi me kajmak i përgatitur nga Zamira Faslija.

Sipas saj, të gjithë që i provojnë, thonë të njëjtën gjë: “Janë fiks siç na i bënte gjyshja dikur. Dhe kjo për mua është fantastike, sepse edhe unë vetë jam fanatike e ruajtjes së këtyre recetave, e shijes tradicionale”.

Ëmbëlsirat e saj kërkohen edhe në Evropë e SHBA

Zamira rrëfen se nuk ka qenë e lehtë për të të jetë paradite mësuese dhe pasdite apo deri natën vonë “pastiçiere”, por se ndihet mirë që kërkesat shtohen çdo ditë dhe nuk mungojnë rastet kur porositë i vijnë edhe për jashtë vendit.

“Porositë janë kryesisht nga Shkodra, por edhe nga shkodranë që jetojnë në Tiranë. Kam edhe shumë kërkesa që t’ua dërgojnë të afërmve në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Më shumë kërkohet haxhimakullja [gurabije me sherbet] pasi ka shumë pak njerëz që dinë ta përgatisin si gjyshet tona dikur”, thotë ajo.

Zamira tregon se për të ka shumë rëndësi që, ashtu siç u mësohet brezave të rinj kultura, zakonet e një zone, t’u trashëgohet edhe arti i gatimit dhe të veçantat e tij.

Për këtë arsye, veç lëndëve të programit mësimor, Zamira u jep mësim nxënësve edhe për gatimin.

“Nxënësit e Shkollës ‘Azem Hajdari’, ku jap mësim, vijnë nga zona të ndryshme të veriut dhe një ndër projektet e realizuara me ta, ka qenë ‘Ju flas për rrënjët e mia’. Ky ishte momenti kur secili solli karakteristikat e zonës, si: traditën, zakonet, artin, por edhe gatimet që janë bërë dikur e nuk duhet të humbasin. Ishte vërtet kënaqësi të shihje se gatimet tradicionale ruhen me emrat e tyre të vjetër dhe me recetën që kanë përdorur gjyshet tona”, thotë mësuesja pastiçiere.

Tespixhja e përgatitur nga Zamira.
Tespixhja e përgatitur nga Zamira.

“Amël qofsh” me ëmbëlsirat e mësuese Zamirës

Ndërrimi i viteve është momenti kur Zamirës i duhet të punojë deri në 3 të mëngjesit.

“Këto ditë janë të lodhshme, por edhe të bukura për mua. Të lodhshme, sepse kam shumë kërkesa dhe më vjen vërtet keq që dhjetëra prej tyre i kam kthyer, sepse e kam të pamundur. Punoj e vetme. Por, janë ditë të bukura, sepse janë klientë që kthehen gjithnjë, nuk kam humbur asnjë prej tyre, sepse mbeten të kënaqur nga puna ime. Dhe, kënaqësia është e madhe kur dorëzoj ëmbëlsirën dhe shkëmbejmë urimin ‘amël qofsh’”, thotë Zamira, që po mendon edhe ta zgjerojë punën e saj.

Shtëpia e saj në Lagjen Dërgut - një prej më të vjetrave në Shkodër - është e vogël për t’i përballuar kërkesat në rritje nga brenda dhe jashtë vendit, ndaj Zamira shpreson që në vitin 2024 ta ketë punishten e saj.

Deri tani, dy djemtë e saj e ndihmojnë në përgatitjen e ëmbëlsirave tradicionale, por Zamira shpreson që në të ardhmen edhe të mësojnë t’i përgatisin vetë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG