Ndërlidhjet

Mësuesit në Bullgari thonë se po kërcënohen pasi kundërshtuan ligjin kundër “propagandës LGBT” në shkolla


Bullgaria është njëri prej vendeve të pakta të Bashkimit Evropian që nuk u jep të drejta të barabarta shoqërore njerëzve homoseksualë dhe heteroseksualë
Bullgaria është njëri prej vendeve të pakta të Bashkimit Evropian që nuk u jep të drejta të barabarta shoqërore njerëzve homoseksualë dhe heteroseksualë

Mësimdhënësit në Bullgari thonë se po përballen me kërcënime, pasi e nënshkruan një peticion kundër një ligji të miratuar së voni, i cili e ndalon “propagandën LGBT” në shkolla.

Ata e fajësojnë partinë e ekstremit të djathtë, Ringjallja, e cila ishte iniciatore e ligjit kontrovers që është kritikuar shumë.

Lideri i Partisë Ringjallja, Kostadin Kostadinov, tha më 22 gusht se do dorëzojë një raport në zyrën e prokurorit për mësimdhënësit që e kanë kundërshtuar ligjin.

Ligji, i miratuar më 7 gusht në Parlament me mbështetjen edhe të partive proevropiane, nxiti protesta në Sofje dhe në pjesët e tjera të Bullgarisë.

Amendamenti në ligjin për kodin e arsimit në Bullgari e ndalon “propagandimin, promovimin apo nxitjen e ideve dhe qëndrimeve” të LGBT-së në shkolla. Ai nuk jep shpjegime të tjerë.

Koalicioni properëndimor reformist Ne e Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike (PP-DB) ende shpreson se do të sigurojë mbështetje në Asamblenë Kombëtare për ta shfuqizuar këtë ligj.

Kritikët thonë se ky ligj është pothuajse identik me ligjin rus kundër LGBT-së, i cili u miratua më 2012 dhe me ligjin hungarez kundër LGBT-së, i miratuar më 2021. Këto ligje në Rusi dhe Hungari janë cilësuar si në kundërshtim me standardet botërore dhe evropiane nga organizata dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Bullgaria është njëri prej vendeve të pakta të Bashkimit Evropian që nuk u jep të drejta të barabarta shoqërore njerëzve homoseksualë dhe heteroseksualë. Vitin e kaluar, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e detyroi Bullgarinë ta krijojë një kornizë ligjore për njohjen e marrëdhënieve të gjinisë së njëjtë. Sofja ende nuk e ka përmbushur këtë detyrim.

Komuniteti LGBT dhe mbështetësit e tyre në Bullgari shpesh përballen me kërcënime dhe sulme verbale dhe fizike.

Rreth 460 mësimdhënës dhe specialistë të tjerë të fushës së arsimit nënshkruan një peticion për të kërkuar shfuqizimin e ligjit të ndryshuar. Rreth 20 mësimdhënës nga resorti Varna në Detin e Zi thanë se ishin shënjestruar nga dega lokale e partisë Rilindja, përfshirë edhe në Facebook.

Martin Stoyanov, një psikolog shkolle në Varna, tha se një mësues në qytetin e Detit të Zi e kishte kontaktuar në Viber një natë së voni, duke shprehur frikën për kërcënimet e fundit.

"Ne po bëhemi një vend ku është e rrezikshme të shprehësh mendimin tënd," i tha Stojanov Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë.

Postimi në Facebook më 21 gusht në llogarinë e lidhur me degën e partisë Rilindja në Varnë, përfshinte një "listë të zezë" të arsimtarëve vendës që kishin nënshkruar peticionin - duke përfshirë Stojanovin - kundër ligjit të sapondryshuar, duke iu referuar atyre si "parazitë".

Një ditë më vonë, Kostadinov, një figurë e kamotshme kontroverse dhe përhapës i dezinformatave pro Kremlinit, tha se do t'ia dorëzojë prokurorisë emrat e rreth 800 mësimdhënësve që ai pretendonte se ishin "kriminelë" që "duan të shtyjnë përpara propagandën homoseksuale".

Mësimdhënësit e kërcënuar në Varnë kanë marrë shumë mbështetje.

Kryetari i komunës së Varnës, Blagomir Kotsev, ka shprehur mbështetjen e tij në një postim në Facebook më 22 gusht, duke u kërkuar atyre që të jenë të guximshëm dhe ta kontaktojnë personalisht nëse kërcënohen.

Pavel Popov, nënkryetari i komunës së Varnës, i cili është gjithashtu përgjegjës për çështjet arsimore, i tha Radios Evropa e Lirë se Partia Ringjallja po bën thirrje për "veprime shtypëse kundër mësimdhënësve bullgarë".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG