Kancelari i pritshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se do të kërkojë “pavarësi” të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe shprehu dyshime për të ardhmen e NATO-s.
“Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që, hap pas hapi, të mund ta arrijmë pavarësinë nga SHBA-ja” në çështje të mbrojtjes, tha Merz të dielën vonë, pasi aleanca e tij CDU/CSU doli e para në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë.
Ai tha se nuk ka “fare iluzione për atë që po vjen nga Amerika”.
“Pas deklaratave të [presidentit amerikan] Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se amerikanët janë kryesisht indiferentë ndaj fatit të Evropës”, tha Merz.
“Jam shumë kurioz të shoh se si do të shkojmë drejt samitit të NATO-s në fund të qershorit - nëse do të flasim ende për NATO-n në formën e saj aktuale, ose nëse do të na duhet të krijojmë një kapacitet të pavarur mbrojtës në Evropë shumë më shpejt”, shtoi ai.
Trump i tronditi aleatët tradicionalë të Amerikës në Evropë me gatishmërinë e tij për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë.
Kjo shkaktoi shqetësime se Evropa apo edhe vetë Kievi do të mund të mënjanohen nga ky proces.
Trump, gjithashtu, është ankuar se vendet evropiane nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre dhe shpesh ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjate të vetë NATO-s.
Në komentet e tij paszgjedhore, Merz tha: “Ndërhyrjet nga Uashingtoni nuk ishin më pak dramatike dhe drastike sesa ndërhyrjet që kemi parë nga Moska”.
Ai iu referua kështu deklaratave të aleatit të Trumpit, Elon Musk, përpara zgjedhjeve, në favor të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).
“Ne jemi nën një presion aq të madh nga të dyja palët, saqë prioriteti im absolut tani është krijimi i unitetit në Evropë”, tha Merz.
Në një nga zgjedhjet më të rëndësishme të Gjermanisë në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, aleanca e tij, CDU/CSU, doli e para me 28.5 për qind të votave, por jo të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë.
AfD-ja doli e dyta, por Merz e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të.